NUMRI I MEDALJEVE QË MAJLINDA KELMENDI I KA SIGURUAR KOSOVËS

Xhudistja nga Peja, Majlinda Kelmendi, e vetme i ka fituar shtetit të Kosovës 35 medalje në gara ndërkombëtare, që prej vitit 2009 kur ajo ka filluar të marrë pjesë në gara ndërkombëtare.

24 medalje te arta, 5 të bronzta dhe 6 të argjendta janë medaljet që Majlinda i ka siguruar Kosovës gjatë tetë viteve, raporton Insajderi.

Sot, Kelmendi arriti të fitojë medaljen e artë në “Grand Prix” në kuadër të kampionatit Botëror të xhudos, në Paris të Francës.

Majlinda arriti që të triumfojë jo vetëm në vendet mike të Kosovës por edhe në ato që Kosovën nuk e kishin njohin si shtet. Vitin e kaluar ajo fitoi medalje të artë në Kampionatin Evropian në Kazan të Rusisë.

Sportistja më e suksesshme kosovare arriti sukses kulminant vitin e kaluar, kur arriti t’i sigurojë medalje të artë Kosovës në Lojërat Olimpike – “Rio 2016”. Kelmendi fitoi medaljen e parë të artë për Kosovën, në pjesëmarrjen e parë të shtetit.

Në karrierën e saj, xhudistja pejane ka fituar nga dy herë kampionatin Evropian dhe Kampionatin Botëror të xhudos. /Insajderi.com

iso