Nxënëset e asfiksuara në shkollë nga hashashi, ja e vërteta që vjen nga dëshmia e tyre

Pas alarmit të djeshëm kur katër nxënëse në shkollën 9­-vjeçare të fshatin Bilaj të Krujës, përfunduan në spital me asfiksi, dyshuar nga tymi e hashashit, dëshmojnë prindër e drejtues të shkollës. Ata pranojnë se aty konsumohet hashash. Vetë drejtori e ka dekaruar, kurse prindërit ankohen se ky nuk ishte rasti i parë.

Nga shkolla në spital për shkak të asfiksisë nga tymi i hashashit. Të paktën ky është dyshimi paraprak i ngjarjes që ndodhi dje në shkollën 9­-vjeçare të fshatit Bilaj të Krujës, ku katër nxënëse të klasës së tetë përfunduan në urgjencë, për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

Dëshmia e vajzave dhe konstatimi i mjekut të urgjencës bie ndesh me versionin e policisë në lidhje me këtë ngjarje. Sipas Policisë, ka qenë djegia e një masivi plehrash disa metra larg shkollës që u bë shkak për asfiksinë e katër nxënëseve. Ato u ndjenë keq kur u futën në klasë pas pushimit të gjatë.

Vajzat e moshës 13-­14 vjeçare, banore të fshatit Bilaj, të cilat u dërguan menjëherë në spitalin e Krujës, deklaruan dje se ishte tymosur hashash në klasë. Edhe mjekët e urgjencës së Krujës theksuan paraprakisht se shkak mund të jetë tymi i lëshuar nga hashashi. Pas pushimit të gjatë 15­ minutësh, nxënësit e shkollës 9­-vjeçare të fshatit Bilaj janë rikthyer në klasë për të vazhduar programin mësimor.

Një grup vajzash u ndjenë keq sapo u futën në klasë. Policia bëri të ditur se ato mund të kenë thithur helme toksike që është çliruar nga djegia e mbeturinave pak metra larg dritares së klasës së tetë.

“Pas pushimit të madh hymë brenda. Klasa ishte gjithë tym dhe u shpërnda. Ne donim të dilnin, pasi nuk po mbusheshim me frymë, por mësuesit na thanë të hynim brenda dhe të vazhdonim procesin mësimor. Ne nuk po duronim dot më dhe dolëm jashtë kundër dëshirës së mësuesve”, shprehet njëra prej tyre. Ndërsa shoqja e saj aludon se mund të jenë asfiksuar nga tymi i hashashit.

“Kishin ndezur cigare, nuk e di çfarë kishin ndezur. Na mbyti era të gjithëve. Ndërkohë që ndodheshim në pushimin e gjatë, djemtë e shkollës kishin djegur hashash në klasë. U ndjemë keq dhe na sollën në spital. Pasi morëm shërbimin mjekësor, ndihemi mirë”, shprehet njëra prej nxënëseve që përfundoi dje në spital.

Përdorimin e hashashit në klasë (gjatë pushimit të gjatë) e pranon edhe vetë drejtori i shkollës 9-­vjeçare të fshatit Bilaj, i cili pohon se ishte ndezur vetëm një cigare nga djemtë. Por siç mësohet, një grup djemsh të shkollës kishin konsumuar lëndë narkotike në klasë në pushimin e gjatë. Në spitalin e Krujës ku u dërguan me urgjencë katër vajzat e asfiksuara, prindërit e tyre u përplasën verbalisht me drejtorin. Ata e akuzuan atë se lejon të pihet hashash në shkollën e fshatit.

“Nuk është hera e parë që në shkollën tënde pihet hashash”, iu drejtua nëna e njërës prej vajzave. Ndërsa drejtori iu përgjigj se “është ndezur vetëm një cigare, nuk besoj se e kanë nga hashashi”. Mjeku i urgjencës së Krujës, Kastriot Mustafaj, i cili u kujdes për nxënëset, u shpreh se ato pohuan se në klasë ishte ndezur hashash. “Vajzat kanë shfaqur dhimbje koke, marrje fryme dhe dridhje trupi”, u shpreh ai.