Nxënësit e Bllacës të harruar nga shteti, 40 fëmijë mësojnë në Kosovë

“E gjithë kjo parcelë mbrapa meje është falur për ndërtimin e objektit të ri shkollor për nevojat e nxënësve të lagjes Bardhi të fshatit Bllacë. Edhe pse janë dhënë shumë premtime, kamera e Alst-M dëshmon se deri më sot nuk është realizuar asgjë”.

Nga komuna nuk u përgjigjën me arsyetimin se kryetari është i zënë me punë. E derisa institucionet heshtin, fëmijët e lagjes Bardhi kanë nisur edhe një episod të ri për vitin shkollor 2016-17. Rreth 40 fëmijë mësimet i nisëm sërish në Kosovë, në shkollën e fillore “Ilaz Taçi” të komunës Hani i Elezit.

“Me çka ke me shku deri në shkollë? Në këmbë shkoj. A e kalon kufirin? Po. A frikohesh derisa mbërrin në shkollë? Po ”, u shpreh një nxënëse.

“Çdo herë kur bie shi bëhet baltë edhe e kemi pak vështirë me kalu. Në kufi a keni problem? Jo, nuk kemi problem. A i mbani me vete pasaportat? Ndonjëherë, kur na kërkojnë”, tha një nxënëse.

“Me kë po shkon ne shkollë? Me shoqet. Nga cila rrugë keni shku? Nga bira. Ku keni me mbri? Te kufiri. A po frikoheni vet me kalu kufirin? Jo”, tha një tjetër nxënëse.

Banorët e këtij fshati shprehen skeptikë për zgjidhjen e problemit. Ata thonë se premtimet jepen vetëm me fjalë ndërkohë që në vepër nuk realizohet gjë.

“Na kanë thënë me ndërtu shkollën por askush nuk po vjen me ndërtu, nëse nuk na ndihmon shteti ne çka mundemi me bë, asgjë nuk mund të bëjmë..na shkon dita duke i përcjell e dërgu, pastaj duhet me dal e me i marr fëmijët, nuk është afër, po kalojnë kufi”, tha një banor.

“Sa të është nevoja unë e jap, rrugën e ka në vete, vendi është i imi, çkado që duhet unë do të nënshkruaj. Nxënësit udhëtojnë mbi dy kilometër, sot është turp i madh që fëmijët me mësu atje”, u shpreh një tjetër banor.

Nga ministria e Arsimit fajin ja hedhin komunës Çuçer Sandevë, por sqaruar se çfarë do të ndërmerr në rast se komuna vazhdon të neglizhoj këtë problem.

“Sigurisht që ne jemi në dispozicion për ti ndihmuar në rast se komuna kërkon ndihmë prej nesh, me të gjitha kompetencat që kemi do të mundohemi që të ndihmomë”, deklaroi Pishtar Lutfiu, ministër i Arsimit.

Problemi me nxënësit e lagjes Bardhi të Bllacës nuk është i një apo i para dy viteve, por i dekadave të tërë. Edhe prindërit e nxënësve kanë mësuar në Kosovë për shkak të mosinteresimit të institucioneve për ndërtimin e të paktën një objekti të vogël shkollor në këtë lagje të lënë në harresë.

Melihate Rustemi