OEMVP: Konferencë për shtyp – Çfarë parashikojmë për vitin 2017?

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, me këtë konferencë për media i kthehet edhe një herë vitit 2016 për të reflektuar në atë se si ka qenë ky vit për Maqedoninë.

Ky vit do të cilësohej më i mirë por për shkak të krizës politike të stërzgjatur nuk shënoi ndonjë zhvilllim të rëndësishëm ekonomik, por gjithnjë në përpjekje afatshkurte për të gjetur  zgjidhje. Në të shumtën e rasteve qeveria nuk kishte qasje konstruktive dhe nuk ishte e hapur për të ndëgjuar propozimet e biznesit.

Qeveria e Maqedonisë, vazhdoi të theksojë nocionin zhvillim ekonomik, buxhet zhvillimor, projekte zhvillimore etj, por për ne si OEMVP, ky nocion nuk ishte shumë shpresëdhënës, duke njohur situatën reale dhe gjendjen faktike të sektorit privat.

Ky vit ishte një vit sfidues për Maqedoninë, sepse gjatë gjithë vitit vendi gjendet në një krizë të thellë politike, rritja ekonomike  e vendit me target prej 3,7% kurse ajo këtë vit me gjasë do sillet rreth 2,2% dhe nuk është proporcionale në të gjithë sektorët e ekonomisë, por në kurriz të politikave selektive  duke favorizuar veprimtari të caktuara nga ku buron kjo rritje, duke ‘’goditur’’ sektorë të tjerë.

Sfera ku çalon Maqedonia dhe që ceken edhe në Raportin e Progresit të KE janë:

  • Borxhi publik – Defiçiti buxhetor;
  • ‘’Vrimat’’ në fondin pensional – borxhet e kompanive publike;
  • Politika selektive e investimeve të huaja;
  • Përmirësimi i legjislacionit;
  • Thjeshtësimi i procedurave administrative;
  • Marrëdhëniet fqinjësore dhe 
  • Infrastruktura.

Borxhi publik dhe vrima në fondin pensional, rrjedhimisht deficiti buxhetor mbulohet nga huamarrjet e vendit nga jashtë duke mos patur një strategji afatgjate për mbulimin e këtyre borxheve. Edhe pse defiçiti është në suaza të parimeve të Mastrihtit, sigurisht duhet të shihet edhe forca ekonomike që ka Maqedonia, kapaciteti prodhues, eksporti etj. Defiçitet buxhetore krijohen dhe rriten nga viti në vit edhe si pasojë e masave populiste të Qeverisë, si rritje të vazhdueshme të pagave në administratë, që poashtu paralajmërohen në fillim të vitit 2017.

Nuk mund të bazohen këto rritje në mjete që nuk janë të krijuara brenda, por që huazohen nga jashtë e pastaj mbulohen me fonde të brendshme dhe të jashtme, që krijojnë ngushtica të sektorit privat, si vonesat e kthimit të TVSH-së, apo mjetet që disponojnë bankat e që shkojnë për financim të shtetit.  Poashtu për shpenzimet e marketingut politik.

Sa u përket investimeve të huaja, Maqedonia ka themeluar një agjencion i cili do duhej të adreson apo gjen investime të huaja duke promovuar Maqedoninë si destinacion i favorshëm me benefite të dhëna nga shteti, mirëpo ato nuk janë të kanalizuara si duhet dhe rrjedhimisht nuk kemi investime të mirëfillta, duke mos analizuar  fuqinë punëtore dhe nevojat që ka Maqedonia. Qeveria vazhdimisht thekson numrin e  zonave të lira ekonomike në të gjithë shtetin, mirëpo jashtë shtetit bëhet politikë selektive në promovimin e këtyre zonave. Kemi mbi 20 zona të lira me mbi 15.000 punësime, por kemi zero (0) në rajonin veri-perëndimor të vendit, edhe përkundër pozitës më të volitshme gjeostrategjike. Papunësia në rajonin e Pollogut nga viti në vit rritet. Ky fakt flet për mospërfshirje dhe zhvillim të pabarabartë rajonal. Pagat minimale të cilat paguajnë kompanitë e huaja bëjnë që në popullatën tonë të krijohet varfëri, varfëri e cila shifet nga forca e fuqisë blerëse.

Këtu kemi Odat Ekonomike që më së miri mund ta luajnë këtë rol, duke qenë se njohin thelbësisht kapacitetet vendore dhe mund të kanalizojnë investimet e huaja në vendin e duhur.

Po që se odat ekonomike do të udhëheqnin strategjinë për thithje të investimeve të huaja do të krijonin kushte kontraktuale që të paktën repromaterialet medoemos të furnizohen nga tregu vendor ose i ashtuquajturi zinxhir i ofertës sepse në këtë mënyrë biznesi vendor dëmtohet dhe si rezultat i kesaj nuk kemi impakt pozitiv në ekonominë vendore nga investitorët e huaj.

Çështja e Legjislacionit – Viti që po lëmë pas për fatin tonë të mirë nuk kishim ndryshime shumë të shpeshta të ligjeve si pasojë e krizës politike por edhe ato ndryshime të bëra nuk ishin në konsultim adekuat dhe të mirëfilltë me komunitetin e biznesit si një nga aktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillim ekonomik të vendit.

Kjo sjell dhe problemet në zbatimin e mirëfilltë të këtyre akteve nënligjore dhe adaptimin në të njëjtat. Kjo praktikë e keqe shpresojmë se do ndryshojë në vitin 2017 dhe në këtë drejtim OEMVP do ketë propozime konkrete në të gjitha ato ligje ku i dëmtuar del biznesi.

Marrëdhëniet fqinjësore –Maqedonia edhe gjatë këtij viti vazhdon të mbajë peng çështjen e emrit me Greqinë, vendin e lënë pas në proçeset eurointegruese dhe anëtarsimit në NATO, gjë e cila reflekton në zhvillimin ekonomik të vendit.

Infrastruktura –Në vitin 2016 vazhdon ndërtimi i aksit rrugor Demir Kapi – Smokvicë, Kërçovë – Ohër por edhe këtë vit nuk u realizua projekti Shkup-Bllacë, mbetet mbrapa lidhja rrugore lindje-perëndim të cilat dukshëm do zvogëlojnë shpenzimet e transportit dhe përforcojnë pozitën konkurruese të kompanive vendore brenda vendit dhe jashtë. Targetet e vendosura për vitin 2017, lidhur me gasifikimin e planifikuar, OEMVP vlerëson se janë të mbivlerësuara.

Trendi i rënies të këmbimit tregëtar në periudhën janar-tetor me Kosovën vazhdon, ku për po të njëjtën periudhë në krahasim me vitin e kaluar kemi ulje të këmbimit tregtarë prej 40%.  Jemi më se të sigurtë se të dhënat që do të publikohen pas fundvitit se kjo ulje do të jetë edhe më e thellë. Nga kjo shihet qartë që ndërmarrjet tona po e humbasin një treg mjaft të rëndësishëm.

Çfarë parashikojmë për vitin 2017?

Edhe përkundër parashikimeve më stabile të ekonomive botërore, Maqedonia ka disa probleme të brendshme edhe të jashtme që ja vështirësojnë skenarin pozitiv.

Jemi në vit në të cilin do të kemi përsëri zgjedhje (lokale), me probleme të shumta ekonomike dhe shumë probleme tjera shtetërore të cilat duan zgjidhje shumë të shpejtë me qëllim të mirëqenjes së popullit dhe stabilitetit shtetërorë.

Paraljamërimet e insititucioneve vendore dhe të jashtme, gjithsesi edhe sinjalet që na dërgojnë vetë bizneset nuk janë optimiste dhe nuk lenë hapësirë për të thënë se 2017 do jetë vit i lehtë dhe frytdhënës. Sipas parashikimeve tona, rritja e këtij viti nuk do të jetë më shumë se 2,5 %.