OEMVP me propozime konkrete për platformën ekonomike

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sot realizoi takim me Ministrin e Financave Kiril Minovski, Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Vllado Misajllovski dhe zëvendës Ministrin e Ekonomisë Hristijan Dellev.

Në takimin u diskutua për çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe financa që në parim janë sektorë të cilat e mundësojnë zhvillimin adekuat të biznesit në Maqedoni.

Sfidat me të cilat ballafaqohet sektori i ekonomisë, posaçërisht bizneset tona janë të shumta. Në këto sfida asnjë prej segmenteve të ndryshme të shoqërisë individualisht nuk mund të përgjigjet në mënyrën adekuate, prandaj OEMVP, si aktorë relevant në fushën e zhvillimit ekonomik dhe në përmirësimin e klimës së biznesit mundohet që në mënyrë të mirëfilltë të artikulojë brengat dhe t’ju qaset problemeve me zgjidhje afatgjate.

“Parimet kyçe që sipas nesh duhet t’i ketë çdo parti politike në programin ekonomik janë transparenca dhe llogaridhënia, zvogëlimi i pabarazisë së zhvillimit rajonal, braktisja e mitit për fuqi të lirë punëtore, masa të reja për rritjen e punësisë dhe vendosjen e platformës ekonomike për zhvillim të qëndrueshëm ekonomike dhe rritje të BPV-së mbi 4%”, deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.

Ne, si Odë Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë dhe ndikimin e zhvillimeve politike e ekonomike në vend, kemi marrë iniciativë që gjatë kësaj periudhe parazgjedhore të organizojmë takime të këtilla konsultative me të gjitha partitë politike të vendit. Qëllimi kryesorë është që të informohet antarësia e Odës me platformën ekonomike të çdo partie politike veçmas dhe njëherit të jep imputin e saj sipas nevojës e në bazë të përvojës si veprues i denjë të komunitetit të biznesit.

Në mesin e disa kërkesave drejt partive politike, do të kishim veçuar përpilimin e masave konkurruese për zhvillim të biznesit dhe ekonomisë me afate më të definuara.

Platforma e OEMVP-së përfshin një sërë reformash prioritare dhe masa në fusha të ndryshme siç janë: reforma në institucionet shtetërore, punësime, zhvillimit të biznesit, infrastrukturës, energjetikës, zhvillimin e turizmit, zonat teknologjike dhe industriale, bujqësore e të tjera.

OEMVP në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë komunikimin intensiv me të gjitha palët e interesuara nga politika për të formuar mjedis të biznesit dhe politika që do të mundësojnë rritje më të madhe ekonomike dhe standarde më të mira të jetesës për qytetarët./antpress