OEMVP në takim me Lëvizjen BESA

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore takoi sot përfaqësuesit e Lëvizjes BESA për të diskutuar rreth platformës ekonomike të Odës dhe mundësitë e përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Duke qenë se bizneset janë gjeneratorë kryesorë të punësimit, prej Odës kërkojnë përfshirje aktive të sektorit të biznesit në krijimin e politikave për të ulur papunësinë dhe në përgatitjen e programeve për trajnim të të papunësuarve dhe të artizanëve.

OEMVP gjithashtu propozon ristrukturim të shpenzimeve publike duke theksuar që buxheti i RM-së duhet të përqëndrohet në politikat zhvillimore, e jo siç ka qenë praktikë vetëm për të mbajtur stabilitetin social: rritje të investimeve kapitale nga vlera mesatare 14% në vit në minimum 25%; deri në 3% të PBV-së për të investuar në arsim, hulumtim dhe zhvillim, e tjera.

Oda kërkon nga partitë politike zbatim jo-selektiv të ligjeve, sidomos të atyre që janë në favor të zhvillimit të biznesit dhe sigurim të një sistemi të drejtë tatimor dhe social me reforma për shpërndarjen proporcionale të mjeteve të siguruara nga tatimet e shtetit.

Në fushën e zhvillimit të biznesit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore mendon që ulja e normës bazë të interesit prej Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë do të kontribuojë në rritje të drejtpërdrejtë në kreditimin e bankave komerciale për komunitetin e biznesit dhe shoqërinë.

Si masë për përkrahjen e sipërmarrësisë, Oda sheh edhe inkurajimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, duke nxitur sipërmarrjen në zonat rurale dhe promovimin e grave në biznes, si dhe pagesë në kohë e borxheve shtetërore për kompanitë, me çka do të rritet likuiditeti i sektorit privat.

OEMVP propozon në platftormën e saj unifikimin e  tarifave doganore dhe tatimore me shtetet fqinje dhe njohjen e çertifikatave të laboratorëve të Maqedonisë në shtetet ku bëhet eksportimi, duke përfshirë këtu edhe sigurimin e funksionimit të tregut të lirë në të gjitha fushat, në veçanti heqjen e subvencioneve për grurë, në mënyrë që të respektohet tregu i lirë dhe të hapet hapësirë që konkurrenca të rregullojë çmimet dhe prodhimin.

Infrastruktura paraqet parakushtin më të rëndësishëm për të bërë biznes dhe për zhvillimin ekonomik të vendit, ndaj si  prioritete më të rëndësishme OEMVP i drejton investimet në infrastrukturën rrugore dhe infrastrukturën e kufirit në mënyrë që të lehtësojë biznesin e vendit, si dhe atë në shtete kufitare. Si prioritete kryesore në këtë fushë OEMVP i rradhit përfundimin e studimit të fizibilitetit të rrugës “Rruga e Arbit” dhe fillim konkret të realizimit të projektit, përkatësisht ndërtimin e aksit rrugor “Ura e Boshkos”, Dibër – Gostivar, Shkup-Bllacë, Zhelinë-Jazhincë, Tetovë – Prizren, hapja e terminalit doganor në Jazhincë e tjera.

Platforma e OEMVP-së për zhvillim ekonomik të Maqedonisë përfshin edhe reforma në fushat tjera si: institucionet publike dhe shtetërore, financa publike, punësime, zhvillimin e biznesit, legjislacion, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sipërmarrësi, tatime, fonde alternative për financimin e biznesit, zonat e zhvillimit teknologjiko-industrial, infrastrukturë dhe energjetikë, Bujqësi, Zhvillimi i turizmit e tjera.

Kërkesat tjera që dalin nga biznesmenët e OEMVP-së drejtuar partive politike, njëherit edhe për Lëvizjen BESA janë: transparencë dhe llogaridhënie për harxhimin e mjeteve buxhetore dhe politikbërjen e tyre, zvogëlim të pabarazisë së zhvillimit rajonal, braktisje të mitit për fuqi të lirë punëtore, masa të reja për rritjen e punësisë, përpilim të një platformeje ekonomike me plane strategjike afatmesme apo afatgjate për zhvillim të qëndrueshëm dhe konzistent ekonomik, angazhim serioz për rritje të BPV-së më shumë se 4%.

photo-5

photo-1