OEMVP në vizitë studimore në Tiranë

 

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Grupacioni i Grave Afariste pranë OEMVP-së dje realizuan vizitë studimore biznes inkubatorëve që operojnë në Shqipëri, gjegjësisht në qytetin e Tiranës, Ecosystem Tirana – Innovation Hub Albania dhe Yunus Social Business Balkans.

Kjo vizitë, siç njoftojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, u realizua në bashkëpunim dhe përkrahje të Programit për rritjen e punësueshmërisë së tregut – IME, vizitë kjo e cila i paraprin hapjes së inkubatorit në kuadër të Odës, me qëllim të përkrahjes dhe motivimit të të rinjve dhe grave në rrugën drejt realizimit të ideve të tyre për biznes.

OEMVP si objektiv strategjik për periudhën e viteve 2016 – 2019 ka përcaktuar edhe promovimin e sipërmarrësisë, risive, konkurrueshmërisë dhe përgjegjësisë shoqërore të ndërmarrjeve.

Inkubatorët e biznesit që u vizituan janë të dizajnuar që të mbështesin dhe përshpejtojnë procesin e zhvillimit të suksesshëm të kompanive të reja duke i ndihmuar ndërmarrësit e rinj me burime dhe shërbime të ndyshme. Ndërmarrësit e rinj aftësohen përmes trajnimeve për zhvillim të biznesit, mbështetjes teknike dhe administrative, këshillave për menaxhim dhe zhvillim të biznesit, çështjeve ligjore, financiare, si dhe qasjes në financa.

Kjo vizitë shtohet më tej në kumtesë, ishte një mundësi e mirë për të parë më nga afër se si funksionojnë këta inkubatorë duke përkrahur të rinjtë dhe idetë inovative duke i mbështetur dhe gjeneruar vende të reja të punës.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, janë realizuar takime ku është diskutuar edhe për organizimin e eventeve me nivel rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe pjesëmarrje të përbashkëta në projekte evropiane.

Kjo ishte një shkëmbim shumë i mirë përvojash për Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, sepse këto institucione vërtetë kanë bërë një zhvillim të madh dhe kanë krijuar emër në fushën që veprojnë dhe është interes i Odës që praktikat e mira të tyre të barten edhe tek ne.