OEMVP propozon Nebi Hoxhën në postin e zëvendëskryeministrit

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) në konferencën për shtyp që organizoi sot, përgëzoi Zoran Zaev për marrjen e mandatit për të formuar Qeverinë e Republikës së Maqedonisë.

Lidhur me ngjarjet politike në vendin tonë, OEMVP si përfaqësuese e komunitetit të biznesit nuk ka qëndruar indiferent dhe vazhdimisht ka reaguar në vendimet e pamatura politike, që cënonin direkt sundimin e ligjit, pa të cilin nuk mund të flasim për funksionim të shtetit e jo më për mundësinë e të bërit biznes. Në këto kushte të krizës, biznesi kërkon stabilitet më të madh për biznesbërjen në vend. Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore nga qeveria e ardhshme ka kërkuar postin e zëvendëskryeministrit nga radhët e biznesit dhe të njëjtin e ka diskutuar edhe në takimet e realizuara me Zoran Zaev, në të cilat vazhdimisht ka theksuar pjesëmarrjen aktive të biznesit në pushtetin ekzekutiv dhe harmonizim të plotë të interesave të biznesit me politikat qeveritare. Pra, biznesi të ketë qasje në përgatitjen e ligjeve para se të kalojnë filtrat qeveritar dhe jo pasi ato të hyjnë në procedurë kuvendore.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Drejtues të OEMVP-së, me shumicë votash u zgjodh kanditati potencial për zëvendës kryeministër për çështje ekonomike, Nebi Hoxha, kryetari i OEMVP-së.