OEMVP shpalosi platformën e saj për zhvillim ekonomik para Aleancës për Shqipëtarët

Në takimin sot me Aleancën për shqiptarët, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore prezantoi platformën e saj për zhvillim ekonomik.

OEMVP kërkon nga partite politike të angazhohen për zhvillim të biznesit dhe ekonomisë, gjegjësisht pranimin e masave të propozuara nga Oda.

Një ndër masat e propozuara është edhe rritja e pragut për investime në rajonet më pak të zhvilluara nga 1% e PBB-së, në të paktën 2 deri në 2.5% të PBB-së, si një masë urgjente vetëm për 5 vitet e ardhshme, sepse niveli aktual i investimeve është 0.03% e PBB-së.

Oda kërkon zbatim jo-selektiv të ligjeve, sidomos të atyre që janë në favor të zhvillimit të biznesit, p.sh Ligji për Zhvillim të Barabartë Rajonal të Republikës së Maqedonisë dhe inkurajimin e bizneseve të vogla dhe të mesme duke nxitur sipërmarrjen në zonat rurale dhe përmes promovimit të grave në biznes. Investimet e huaja direkte të drejtohen në mënyrë të barabartë në të gjitha zonat e Republikës së Maqedonisë me qëllim të rritjes së barabartë në të gjitha qarqet e planifikuara të vendit.

Kërkesat tjera që dalin nga biznesmenët e OEMVP-së drejtuar partive politike, njëherit edhe për Aleancën për shqipëtarët janë: transparencë dhe llogaridhënie për harxhimin e mjeteve buxhetore dhe politikbërjen e tyre, zvogëlim të pabarazisë së zhvillimit rajonal, braktisje të mitit për fuqi të lirë punëtore, masa të reja për rritjen e punësisë, përpilim të një platformeje ekonomike me plane strategjike afatmesme apo afatgjate për zhvillim të qëndrueshëm dhe konzistent ekonomik, angazhim serioz për rritje të BPV-së më shumë se 4%.

Në fushën e zhvillimit të biznesit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, ka shqyrtime të vetat dhe propozon masa në pjesën e ndryshimit të legjislacionit, masa për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sipërmarrje me fokus të veçantë tek gratë dhe të ndërmarrësit e rinj në zonat rurale, lehtësime tatimore dhe mbështetje për diasporën si potencial për zhvillimin e vendit.

Si masë për përkrahjen e sipërmarrësisë, Oda sheh edhe sigurimin e fondeve për “start-up” bizneset, duke mbështetur themelimin e “inkubatorëve të biznesit”  prej buxhetit të shtetit dhe fondeve të jashtme si dhe sigurimi i mjeteve shtesë në formën e granteve për bizneset start-up.

Platforma e OEMVP-së për zhvillim ekonomik të Maqedonisë përfshin edhe reforma në fushat tjera si:

  • institucionet publike dhe shtetërore;
  • financa publike;
  • punësime;
  • zhvillimin e biznesit;
  • legjislacion;
  • ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
  • sipërmarrësi;
  • tatime;
  • fonde alternative për financimin e biznesit;
  • zonat e zhvillimit teknologjiko-industrial;
  • infrastrukturë dhe energjetikë;
  • Bujqësi;
  • Zhvillimi i turizmit e tjera.

 

 

image-0-02-05-d41b4a952c30bd87f22e3fce1702a5a49db11483271b47fc778193f420e0515b-v

image-0-02-05-54b3e01676827c512305402d622b631c8bbf0f07cbfcaa410f28f14fb6d00cac-v