Osmani: Deri më 7 janar, të ratifikohet marrëveshja

Më së voni deri më 7 janar partitë shqiptarë duhet të ratifikojnë platformën e përbashkët ndërsa më pas kreu i BDI-së Ali Ahmeti pritet të ftoj takimin e radhës me liderët shqiptarë. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, ftoi edhe Partinë Demokratike Shqiptare që ti bashkëngjitet tyrezës së përbashkët.

“Mendoj se sipas marrëveshjes së arritur deri më 7 janar ose deri ne këtë fundjavë të gjitha kryesitë e partive politike nënshkruese të atij memorandumi ose asaj platforme të përbashkët duhet të ratifikojnë atë marrëveshje, të dal ose që buron nga partitë politike, duhet të ratifikohet në kryesitë e tyre. Me këtë përfundon dhe faza e parë e bashkërendimit dhe arrihet qëllimi i bashkëpunimit të partive politike shqiptare për këtë fazë dhe pastaj nëse do të ketë nevojë për takime tjera do të informoheni”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Për të harmonizuar qëndrimet rreth platformës së përbashkët, drejtuesit e partive shqiptare ditë më parë u ulën në një tryezë të përbashkët në Tiranë me kryeministrin Edi Rama. Pas këtij takimi u spekulua se mandatari maqedonas për formimin e qeverisë së ardhshme do të kushtëzohet me platformën për të cilën kishin rëndë dakord partitë shqiptare në Tiranë por drafti në fjalë ende mbahet në fshehtësi. Nga ana tjetër, BDI-ja edhe një herë ka përsëritur qëndrimin se pa miratimin e kësaj platforme nga partitë shqiptare nuk do të fillojë negociata për koalicionim me subjektet maqedonase. Me këtë rast, zëdhënësi Bujar Osmani, mohoi zërat se Ahmeti një ditë më parë është takuar me Nikolla Gruevskin.

“Aspak nuk ka të vërteta, të gjitha janë spekulime dhe mendoj se nuk duhet të merremi me spekulime të llojit të tillë. Ne do të jemi transparent atëherë kur do të kemi takim me partitë politike maqedonase. Kemi theksuar se paraprakisht pason procesi i krijimit të qëndrimit brenda në parti, krijimi i platformës së bashkërenduar me partitë politike shqiptare dhe pastaj do të fillojnë bisedimet me partitë maqedonase”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Një ditë më parë, përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, partisë që ka fituar numrin më të madh të deputetëve në zgjedhjeve kanë deklaruar se nuk do të fillojnë negociatat me subjektet shqiptare pa marr mandatin nga presidenti për formimin e qeverisë.