OSMANI: Garancinë e njëjtë e kërkuam edhe nga Gruevski (VIDEO)

Pavarësisht se lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski këmbëngul se BDI-ja e Ali Ahmetit asnjëherë nuk ka kërkuar garanci me shkrim  pasi ka pasur besim të plotë në partinë e tij, nga BDI-ja pretendojnë të kundërtën. Zëdhënësi Bujar Osmani është shprehur decid se garancia e kërkuar nga LSDM-ja është po e njëjta që është kërkuar edhe nga VMRO-ja gjatë bisedimeve.

“Ajo është e njëjta që kemi pasur me VMRO- DPMNE gjatë negociatave të detajohet qartë ligji mbi gjuhën shqipe dhe e tërë platformë të konsolidohet platformë e përbashkët për një program eventual qeveritar”, deklaron për Alsat-M, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

“Kryetari Ahmeti mban kontakt me të gjitha partitë politike, ende mbesin të gjitha 5 opsionet e hapura për shkak se kemi vlerësuar se ka qenë e pamjaftueshme oferta e parë dhe nuk e dimë sa do të jetë e mjaftueshme oferta e dytë prandaj të gjitha opsionet mbeten të hapura përcaktimi do të jetë në bazë të asaj se  a do të kënaqen kërkesat e BDI-së për realizimin e platformës ose kontratës që ka nënshkruar me popullin shqiptar  më 11 dhjetor”, shton Osmani.

Ai gjithashtu theksoi se LSDM-ja do të mund të llogarisë në nënshkrimet e deputetëve të saj vetëm në rast se arrihet marrëveshja e cila do të jetë e pranueshme për partinë e Ahmetit dhe se për momentin ende po debatohet në organet e partisë.