Pa shqipen, s’ka qeveri

Partitë politike vazhdojnë taktizimet me oferta dhe kundër-oferta edhe 20 ditë pas dështimit të VMRO-së që të formojë qeverinë e re. BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët janë në pritje të përgjigjes nga LSDM-ja lidhur me vërejtjen e paraqitura ndaj propozimit që partia e Zoran Zaev u kishte dërguar partive shqiptare, për avancimin e statusit të gjuhës shqipe dhe pikave tjera të platformës së partive shqiptare, disa prej të cilave janë kusht për pjesëmarrjen e tyre në qeverinë e re.

Dy partitë shqiptare që janë përfshirë në bisedime, ditë më parë thanë madje se do të ketë nga ana e tyre propozim krejt të ri për gjuhën shqipe.

Pa një marrëveshje me partitë shqiptare, LSDM-ja nuk mund të sigurojë 61 nënshkrime për të kërkuar mandatin nga Presidenti i shtetit për formimin e qeverisë së re.

Analisti Arsim Sinani thotë se, qytetarët në zgjedhje kanë votuar për ndryshime dhe kjo duhet të ndodhë sa më parë.

Ndërsa, i përket platformës shqiptare, Sinani mendon se ajo është reale, duke marrë parasysh shumë çështje të pazgjidhura etnike të shqiptarëve që nga pavarësia e Maqedonisë, apo që nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, në veçanti ajo që ka të bëjë me zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

“Mendoj se në këto negociata që po zhvillohen, duhet të ketë një përfundim, pasi ky pushtet duhet të ndërrohet. Këtë e deshën qytetarët shqiptarë, të cilët votuan edhe për LSDM-në, dhe votimi për këtë parti ishte votë popullore kundër Gruevskit. Sa i përket gjuhës shqipe, mendoj se Zaevi ka qenë i pari i cili e inicioi këtë çështje që ishte një hap i guximshëm. Tani, nëse do t’i jepej rasti një qeverisjeje ndryshe, besoj që gjuha shqipe do të duhej të ishte zyrtare ”, thekson Sinani.

Ai e vlerëson si të gabuar edhe kërkesën për zgjedhje të reja parlamentare.

“Maqedonisë nuk i duhen zgjedhje, por një qeveri stabile, demokratike, pro perëndimore. Maqedonisë i duhet një mentalitet i ri i qeverisjes, në të cilën shqiptarët do të jenë faktor i rëndësishëm dhe pasi janë faktor që vendosin, shqiptarët me plot të drejtë duhet ta dërgojnë në histori këtë gjeneratë të VMRO-së, e cila realisht Maqedoninë e solli në këtë gjendje”, konsideron Sinani./ina