Pacolli tregon se kush këmbënguli që Pavarësia të shpallej më 17 shkurt

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës, ka rrëfyer ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se herët në mëngjesin e 17 shkurtit është vendosur që akti të ndodhë atë ditë, megjithëse ka pasur hezitim nga pjesë të faktorit ndërkombëtar.

Por, sipas Pacollit, ka qenë insistimi i kryeministrit të atëbotshëm, Hashim Thaci, ai që ka bërë që procesi të shtyhet përpara.

“Ishte ditë shumë e vecantë. Atë ditë e kam përjetuar shpirtërisht, sepse që nga orët e hershme të mëngjesit kemi qenë të ftuar në takim në zyre të kryeministrit. Aty me faktorin ndërkombëtar kemi diskutuar mundësinë e deklarimit atë ditë të Pavarësisë. Dhe mund të them që kryeministri i atëhershëm ka qenë këmbëngulës që ajo të ndodhë. Ka pasur hezitim nga disa të huaj, por është dashur të fitojë dëshira e madhe e kosovarëve. Unë e di që ambasadori i SHBA-së ka qenë për deklaratën e pavarësisë. Kështu, në ato orë të hershme u vendos që atë ditë të shpallet Pavarësia e Kosovës. Në atë takim ishin liderët e partive, deputetë të asaj kohe, presidenti, kryeministri, zv. kryeministri. Më duhet ta përsëris që kryeministri Hashim Thaci ka qenë shumë këmbëngulës që Pavarësia të shpallet atë ditë. Nuk ka pasur shumë qartësi për atë ngjarje. Në natën e fundit janë bërë përgatitjet e mëdha – shumica prej tyre”.