Pacolli: Me Vetëvendosjen do të jemi pas zgjedhjeve

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, duke komentuar mos nënshkrimin e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, ka shkruar se ka një arsye që koha do të tregojë se ishte arsye e justifikuar dhe reale, por ka shprehur bindjen se me Vetëvendosjen do të jenë krah për krah në qeverisje, menjëherë pas zgjedhjeve.

Pacolli në facebook ka shkruar se si AKR janë përpjekur deri në momentin e fundit dhe prapë mirëkuptohemi për bashkëpunim me miqtë e VV.

“Shumëkush më pyet çka ndodhi me bashkëpunimin me Partinë Vetëvendosje. Ju them se me VV kemi punuar shumë në tre muajt e fundit. Jemi takuar shpesh. Ne, të ta kemi gjetur shumë bashkëmendimtarë, miq të mirë dhe profesionistë. Ne si AKR, jemi përpjekur deri në momentin e fundit dhe prapë mirëkuptohemi për bashkëpunim me miqtë e VV. Ka një arsye që nuk bëmë koalicion parazgjedhor dhe koha do të tregojë se ishte arsye e justifikuar dhe reale. Besoj fort se me Vetëvendosjen do të jemi krah për krah në qeverisje, menjëherë pas zgjedhjeve. Ne, AKR dhe VV kemi unifikuar programet tona qeverisëse për ta kthyer Kosovën në një vend dinjitoz, të udhëhequr nga një ekip që e do Shtetin dhe Qytetarin e saj, që punon për një Kosovë të begatshme e madhështore, të civilizuar e të dashur për qytetarët dhe rininë e saj. Na priftë e mbara”, ka shkruar ai./KosovaPress/