Paguan 2.1 milionë euro për Ferrari që nuk guxon të vozitet

Prototipi i modelit LaFerrari është bërë me pronar të ri në ankandin e shtëpisë RM Sotheby’s, por ai nuk do të mund të vozisë këtë veturë në trafik, transmeton KosovaPress.

Top modeli i fundit i Ferrari, LaFerrari është prezantuar më 2013 dhe ishte shitur shumë shpejt, pasi që prodhimi ishte kufizuar në vetëm 499 njësi.

Automobili është i vitit 2012 dhe bie në mesin e disa njësive të paraprodhimit.

Ky është edhe njëri nga LaFerrari e parë, të cilët janë prodhuar ndonjëherë në Maranela dhe kompania e ka shfrytëzuar në prezantime të mbyllura për blerësit, të cilat janë organizuar në vitin 2013.

Kjo njësi e paraprodhimit gjendet edhe në të gjitha fotografitë origjinale promovuese të LaFerrari.

Ferrari ka njoftuar blerësin e ri se automjeti është i dedikuar vetëm për ekspozita dhe jo edhe për vozitje.

Ndryshe, çmimi prej 2.1 milionë euro është dukshëm më i lartë se sa LaFerrari, i cili nis nga 1.2 milionë euro.

Në ndërkohë, çmimi i këtij modeli është rritur dhe njësit e rralla mund të gjenden në treg me një çmim për disa herë më të lartë.