Pak njerëz nënshkruhen në Librin e Zisë që ka hapur Qeveria për ish-kryeministrin e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka hapur Librin e Zisë për ish-kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi i cili ka vdekur më 21 gusht(të hënën e kaluar).

Personi i parë që u nënshkrua në Librin e Zisë ishte nga përfaqësuesja e shtetit ku Rexhep ndërroi jetë.

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë,  Kivilicim Kilic, pas nënshkrimit tha se kanë humbur një mik të mirë të marrëdhënieve Kosovë-Turqi, pasi sipas saj ish kryeministri Rexhepi ka kontribuar në marrëdhëniet në mes dy shteteve.

Kilic: Kosova ka humbur një burrështetas të shquar

Video

“Kosova ka humbur një burrështetas të shquar i cili ka kontribuar shumë në rrugën drejt pavarësisë dhe sovranitetit të këtij kombi të madh. Gjithashtu, ne humbëm një mik të mirë të marrëdhënieve Kosovë-Turqi sepse ai ka kontribuar në marrëdhëniet mes dy shteteve dhe dy popujve. Ne e kemi humbur atë në Turqi përderisa ai ishte duke marrë trajtim. Ai ishte në Stamboll së bashku me familjen e tij. Pra, ne jemi shumë të pikëlluar dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së tij dhe gjithë popullit të Kosovës”, tha ajo.

Në Librin e Zisë për Bajram Rexhepin u nënshkrua edhe kryeministri në detyrë Isa Mustafa, si dhe komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo.

Nderime për ish-kryeministrin duke u nënshkruar në Librin e Zisë ka bërë edhe ish gazetari i Rilindjes Esat Dujaka.

Në ndërtesën e Qeverisë për t’u nënshkruar në Librin e Zisë erdhi edhe kryetari i Shoqatës së Personave me nevoja të veçanta në Kosovë, Agim Vatovci.

Vatovci pasi vuri nënshkrimin ka recituar një vjershë kushtuar ish kryeministrit të ndjerë.

Vatovci: Ylli është i ndjeri, doktor Bajram Rexhepi

Video

“Na ishin shumë yje të gjithë bëjshin dritë, njëri prej tyre papritur u fik. Ka mbetur i vetëm ky yll i shkret rri i menduar me gojë nuk flet. Ylli është i ndjeri, doktor Bajram Rexhepi”, janë vargjet e vjershës së Vatovcit.

Ish kryeministri Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë me 21 gusht në një spital të Turqisë, ndërsa është varrosur me 22 gusht me ceremoni shtetërore në vendlindjen e tij në Mitrovicë.

Libri i Zisë për Bajram Rexhepin do të qëndrojë i hapur për dy ditë në ambientet e Qeverisë së Kosovës, nga ora 09:00 deri në orën 12:00./M.Duraku/