Panairi i Librit hap nesër dyert

Një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, edhe këtë vit do të mbledhë të gjitha krijimet dhe botimet më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti, nëntor 2015 – nëntor 2016.

Ky është Panairi i 19-të që zhvillohet në  Tiranë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.

Ky panair bashkon të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.

Shoqata e botuesve si çdo vit organizon edhe këtë pasqyrimin e veprimtarisë librore që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë.

Panairi do të vijojë nga data 09 deri më 13 nëntor 2016,në Pallatin e Kongreseve Tiranë.