Pandeli Majko, ministri që do të përkujdeset për shqiptarët jashtë kufijve

Pandeli Majko, ish-kryeministri dhe deputeti veteran i Partisë Socialiste është zgjedhur ministër shteti në Qeverinë e re të kryeministrit Edi Rama.

Ai tha se Pandeli Majko është zgjedhur në këtë detyrë për shkak të lidhjes së tij gjatë karrierës politike me këtë çështje.

Ministria e Shtetit për shqiptarët jashtë kufijve do të përkujdeset për pozitën e tyre në shtetet fqinje si dhe rritjen e bashkëpunimit në raport me Qeverinë shqiptare. Përkujdesja do të jetë në raport me Kosovën, shqiptarët në Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, treva të tjera dhe diasporën

Pandeli Majko lindi më 15 nëntor 1967 në Tiranë. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Tiranës në vitet 1986-1992.

Gjithashtu ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitet 1994-2000. Zoti Majko ka një karrierë të pasur politike. Karriera e Pandeli Majkos do të niste me Kryetar FRESSH në vitet 1992-1995. Ka mbajtur dy herë postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Po ashtu dhe postin e Ministrit të Mbrojtjes e ka mbajtur dy herë në qeveritë socialiste.

Karriera e tij politike do të kulmonte në vitet 1998-1999 ku do të merrte postin e Kryeministrit në Qeverinë e Shqipërisë. Ai shquhet për angazhimin e tij për Kosovën gjatë luftës që po ndodhte atje nga terrori serb.

Po këtë post, atë të kryeministrit, e ka mbajtur për 8 muaj edhe në vitin 2002. Ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për hartimin e Kushtetutës shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1997 – 1998. Ai deri tani ka qenë kryetar i Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.