Papa Françesku: Më mirë të jesh ateist sesa katolik hipokrit

Papa Françesku ka deklaruar se është më mirë të jesh një ateist se sa të jesh pjesë e katolikëve që janë hipokritë dhe ndjekin jetë të dyfishtë.

“Është skandaloze të thuash diçka tjetër dhe të bësh diçka tjetër. Kjo është një jetë e dyfishtë. Janë gjithmonë ata që thonë “jam katolik, ndjek gjithmonë meshat, i përkas atij grupi ose këtij grupi por veprojnë ndryshe”, ka thënë Papa Françesku.

Ai ka thënë se disa nga këta njerëz duhet të thonë se “nuk jetojnë si katolikët e vërtetë, nuk i paguajnë punëtorët e tyre rrogat që meritojnë, i shfrytëzojnë njerëzit, bëjnë punë të pista, pra thjesht ndjekin jetë të dyfishtë”, ka vazhduar ai, transmeton Klan Kosova.

Papa Françesku ka thënë po ashtu se shumë shpesh njerëzit me të drejtë thonë “se më mirë është të jesh ateist, se katolik si disa persona”.

Qysh nga ardhja e tij në këtë pozitë në vitin 2013, Papa Françesku u ka thënë katolikëve, si priftërinjve ashtu edhe besimtarëve që të praktikojnë atë çfarë thotë në të vërtetë ky religjion.

Ai po ashtu shumë shpesh ka dënuar edhe abuzimin seksual të fëmijëve nga priftërinjtë duke e quajtur atë si “veprim satanik”.