Paralajmërime për luftë civile në Maqedoni (Video)

Kohëve të fundit, intelektualë, aktorë, analistë dhe profesorë gjithnjë e më shpesh flasin për skenarë të rrezikshëm, në rast se qeverinë e drejton Zoran Zaevi. Në rrjetet sociale paralajmërohet për konflikt të mundshëm ndëretnik, madje edhe luftë civile. Rasti më i freskët është statusi i analistit Toni Naunovsi i cili thotë se kryetari Ivanov nuk guxon mandatin t’ia japë Zoran Zaevit, sepse sipas tij, ky ka për të zbatuar program antikushtetues dhe do ta realizojë dygjuhësinë në gjithë territorin

Në profilin e tij në fejsbuk, ai paralajmëron mundësinë e grusht-shtetit.“Nëse ata të LSDM-së, Selës dhe BESËS (por edhe BDI) tentojnë që vetë të thërrasin seancë parlamentare dhe të formojnë qeveri (që sipas burimeve të mia nga LSDM, e kanë plan qëmoti) atëherë kjo do të ishte grusht-shtet. Me këtë rast kryetari i shtetit (komandanti suprem i ushtrisë dhe i policisë) shpall gjendje lufte dhe do të ishin arrestuar të gjithë që do të merrnin pjesë në grusht-shtet”

Regjisori Boris Damovski në emisionin Klik Plus të TV21 tha se nuk ka rrezik për konflikt dhe se nuk është e vërtetë që anëtarësia e VMRO-DPMNE-së po mobilizohet për aktivitete të tilla.

“Tani imponohet ideja se VMRO-DPMNE përnjëherë po mobilizohet…. ndërkohë oponentët ishin të mobilizuar jo vetëm nëpër shtabe, seli por edhe nëpër OJQ të ndryshme dhe ambasada… atëherë kishte tensione, e jo tani”, tha Boris Damovski, Regjisor.

Aktivisti qytetar Zamir Memeti konsideron se në këtë mënyrë përhapet gjuha e urrejtjes me qëllim që qytetarët të bien pre e provokimeve. Por megjithatë, ai shton se shqiptarët dhe maqedonasit e kaluan testin e pjekurisë që prej ngjarjeve të majit në Kumanovë.

Këtyre ditëve, në kontekst të ngjarjeve, protestë zhvilloi edhe grupi joformal “Të palëkundshmit” kundër dygjuhësisë, ndërsa para komitetit komunal në Ohër, u lexua shpallja e partisë në të cilën thirren në protestë të gjithë qytetarët në mbrojtje të shtetit nga Zoran Zaevi dhe nga zbatimi i planit të federalizimit. Komitetit ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së porositi se kjo parti do ta kundërshtojë sjelljen e Ligjit për gjuhë dhe do të marrë masa për ta mbrojtur “vullnetin e shumicës”