Paralizohet Greqia

Sektori publik u paralizua totalisht të enjten në Greqi, pasi sindikatat më të mëdha të punës mbajtën një grevë 24 orëshe mbarëkombëtare për të protestuar kundër paketës së fundit të shkurtimeve buxhetore, e cila po diskutohet aktualisht në parlament.

ADEDY dhe GSEE, dy sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e sektorit publik dhe privat, kanë bërë thirrje për një miting në qendër të Athinës “kundër masave represive të kursimit dhe varfërisë.

Mjekë dhe infermierë të spitaleve publike, mësues, punonjës të bankave dhe bashkive lanë punën ndërkohë që shërbimet e transportit u ndërprenë për 24 orë. Protestuesit kanë shprehur zhgënjimin ndaj qeverisë.

“Nuk dimë çfarë të bëjmë sepse që prej vitit 2010 të gjitha qeveritë kanë bërë të njëjtat gjëra sepse huamarrësit e Bashkimit Evropian kërkojnë të njëjtat gjëra si rritja e taksave, reduktimi i pagave, ulja e pensioneve dhe për pasojë njerëzit janë më të varfër”, thotë Janis, punonjës në pension i një bankave të falimentuar greke.

Edhe gazetarët grekë bojkotuan punën të mërkurën për të protestuar kundër raundit të ri të masave shtrënguese të nxitura nga qeveria në këmbim të ndihmës së mëtejshme nga kreditorët ndërkombëtarë.

Një punonjës i një media greke, i cili kërkoi të mbetet anonim tha se proteston për shkak të problemeve me sigurimet dhe punësimin.

Pas shtatë viteve recesion të thellë dhe disa raundeve të shkurtimeve me pagat, pensionet dhe rritjen e taksave, protestuesit thanë se nuk mund të mbajnë më mbi supe asnjë peshë.

Sipas statistikave zyrtare, një e katërta e fuqisë punëtore greke vuan nga papunësia kronike, një e katërta e familjeve greke janë duke luftuar me pragun e varfërisë, dhe tatimpaguesit mesatarë greke kanë humbur rreth 40 për qind të të ardhurave të tyre që nga fillimi i krizës së borxhit.

Kurse qeveria në kushtet kur po negocion kushtet e ndihmës së radhës së shpëtimit me huadhënësit ndërkombëtar, kërkon më shumë durim nga populli grek, duke garantuar se ekonomia po i kthehet rritjes.

/Ora News/