Partitë akoma nuk i kanë filluar bisedimet për qeverinë

Partitë shqiptare thonë se nuk nxitojnë për fillimin e negociatave për formimit e qeverisë së re, ndërsa deklarojnë se nuk heqin dorë nga kushtet e tyre. Përfaqësuesit e “Aleancës për shqiptarët” thonë se takimi me drejtuesit e BDI-së ka pasur për qëllim “përafrimin e qëndrimeve” për kushtëzimin e mandatarit të ri. Arban Balliu, thotë se pa plotësimin e gjashtë kushteve të vendosura nga Aleanca për shqiptarët, ky koalicion nuk do të pranojë bashkëpunim me asnjë parti politike.

“Janë gjashtë pikët nga të cilët Aleanca nuk heq dorë, domethënë është pika: zyrtarizmi i gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë, ndarja e buxhetit me prerje lokale, momenti që shqiptarët nuk do të eksploatohen më siç janë eksploatuar më parë, përfaqësim i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve nëpër institucione, Prokuroria Speciale si kategori kushtetuese, se bashku me formimin e Gjykatës Kushtetuese, lirimi i të gjithë të burgosurve politik, që realisht përgjegjësinë duhet ta mbajnë ata që i burgosën dhe të përgjigjen për gjërat që i kanë bërë. Dhe pika e fundit një prej posteve kryesorë siç janë presidenti, kryeministri apo kryetari i Parlamentit të shtetit”, tha Arban Balliu, Aleanca për shqiptarët.

Edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Besa thonë se mbeten të palëkundur në qëndrimet e tyre. Afrim Gashi brenda kësaj partie as që bëhet fjalë për hyrje në qeveri nëse nuk pranohet në tërësi platforma për ridefinimin e shtetit për të barazuar pozitën e shqiptarëve me maqedonasit.

“Për momentin nuk ka lëvizje, nuk ka kontakte. Po presim çfarë do të ndodhë, këto 10 ditë janë shumë të rëndësishëm, të shohim kush do të merr mandatin, pastaj do të shohim dhe si do të fillojnë negociatat. Por sidoqoftë, ne nuk do të lëvizim nga parimet tona, kjo është me rëndësi”, tha Afrim Gashi, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim ende heshtin dhe nuk tregojnë me cilën parti do të koalicionojnë. Edhe përkundër përpjekjeve të shumta, Alsat nuk mori përgjigje nga BDI-ja nëse do të koaliciojë me partnerin e deri tanishëm partinë e Nikolla Gruevskit.

Blerim Ismaili