Partite dhe institucionet ne Maqedoni urime per 28 Nentorin

Partite dhe institucionet ne Maqedoni urime per 28 Nentorin

RDK, Vesel Memedi

Sot në këtë ditë të madhe për kombin duhet të konstatojmë me maturi të madhe se shqiptarët vazhdojnë të jenë nën një betejë të vazhdueshme për të rikonfirmuar veten si anëtar të respektuar në familjen e kombeve perëndimore. Sfidat e kombit shqiptarë sot janë po aq problematike dhe të rrezikshme si edhe një shekull më parë, kërkohet angazhimi i të gjitha kapacitetve kombëtare në udhëheqjen e kombit në të gjitha tokat shqiptare që përvjetoret e radhës të mos jenë vetëm kujtime historike por edhe shpresë dhe ardhmëri më e ndritur për kombin shqiptarë.

Dita e Pavarësisë është dita e përjetësisë së një kombi, dita më e rëndësishme dhe më jetike për pjesëtarët e tij. Andaj, më lejoni që në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin tim personal, të gjithë shqiptarëve t’ua uroj Ditën e Flamurit – Ditën e Pavarësisë.

 UT-Universiteti i Tetovës

Në emër të Universitetit të Tetovës, të gjithë shqiptarëve ua përcjell urimet e mia më të sinqerta me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

28 Nëntori, data më e rëndësishme e kombit tonë, do të jetë përherë një datë e ndritshme, motiv frymëzimi për të gjitha sukseset e shqiptarëve kudo që ndodhen.

Në këtë ditë feste, shqiptarët janë më të bashkuar, më të fuqishëm, janë faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe progresi në rajon dhe më gjerë.

PDSH

28 Nëntori ka qenë dhe mbetet simbol i krenarisë, qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar. Kjo ditë edhe një herë na mëson se si duhet sakrifikuar dhe luftuar për të drejtat tona.

Uroj që të gjithë së bashku të vazhdojmë në këtë rrugëtim drejt realizimit të aspiratave tona të përbashkëta.

Në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare ju uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë Ditën e Flamurit.

Lëvizja BESA 

Lëvizja BESA gjen rastin që sot, në ditën më të ndritur të historisë së kombit – Ditën e Flamurit, të gjithë shqiptarëve kudo që janë t’ua urojë këtë festë, duke u dëshiruar që atë ta kalojnë në mënyrën më festive dhe duke uruar që festat e Flamurit gjithnjë të na gjejnë të lumtur dhe të realizuar si njerëz dhe si shqiptarë.

Këtu nuk mund të mos vëmë re faktin që viteve të fundit përfaqësimi shqiptar në Maqedoni ka degraduar deri në atë masë sa sot është rrezikuar seriozisht qenia shqiptare në Maqedoni.
Sidoqoftë, urojmë që ky vit të na gjejë me fitoren e gjithë shqiptarëve të Maqedonisë – duke votuar numrin 10-të të Rilindjes me BESË në zgjedhjet e 11 dhjetorit.