Partitë me qëndrime të ndryshme rreth përbërjes së Qeverisë së re

Drejtuesit e Koalicionit “Rilindje me Besë” propozojnë formimin e qeverisë teknike si zgjidhje kalimtare ne periudhën pas-zgjedhore. Mirëpo deputeti i këtij koalicioni Fadil Zendeli, përjashton mundësinë e përfshirjes së BDI-së në përbërjen e tillë të qeverisë.

“Me BDI-në në këtë format, kështu siç është, kemi përjashtuar koalicionimin, ndërsa me partitë tjera mund të bisedojmë. Me BDI-në e përjashtojmë si subjekt derisa vlerësojmë se si subjekt është i inkriminuar në politikat e keqqeverisjes, së kriminalizuar gjatë gjithë kësaj kohe, veçanërisht viteve të fundit”, deklaroi Fadil Zendeli, deputeti i Rilindje me Besë

Por, për liderin e LR-PDSH-së Zijadin Sela, propozimi i Lëvizjes Besa, është jo serioz.

“Ky është një qëndrim shumë infantil, fëmijërorë do të thoja, aspak politik. Sepse qeveria teknike aspak nuk do të zgjidhte dhe problemet të cilët i kanë shqiptarët, meqë vlerësojmë që kemi marrë vota në emër të shqiptarëve. Qeveria teknike do të bënte organizimin e zgjedhjeve tjera, ndërkohë që tash edhe pse janë humbur një pjesë e deputetësh shqiptarë. Ka një moment ndoshta historik për shqiptarët sepse ka një barazi të përafërt mes LSDM-së dhe VMRO-së dhe ata që bëjnë ndryshimet janë subjektet politike shqiptare”, tha Zijadin Sela lideri i LR-PDSH-së

Nga ana tjetër, deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim Xhevat Ademi beson se partitë shqiptare kanë mundësi historike të bashkohen rreth një platforme dhe të kushtëzojnë partitë maqedonase për përmbushjen e kërkesave që kanë të bëjnë me avancimin e çështjes kombëtare.

“Ne jemi të hapur sepse nëse partia e dytë fituese nuk pranon platformën për barazi të plotë të shqiptarëve që buron edhe nga doktrina e BDI-së por edhe nga oferta e subjekteve tjera, nuk është patjetër BDI të jetë pjesë e qeverisë. Ka subjekte tjera, kanë numrat le të urdhërojnë”, u shpreh Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.

Për shkak të rezultateve të ngushta mes partive maqedonase formimi i qeverisë së re do të jetë një çështje jo e lehtë. Analistët thonë se pavarësisht formatit, qeveria e re nuk do të ketë jetë të gjatë.

Blerim Ismaili