Partitë në ditën e fundit të fushatës elektorale, thirrje për votime të qeta në 11 dhjetor

Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, partitë e cilësojnë atë si kryesisht të qetë, pa incidente por me disa parregullsi, sipas tyre, të zakonshme. Para opinionit të gjitha partitë politike, apelojnë për një votim të qetë më 11 dhjetor dhe respektim të lirisë së votës.

“Prej para pesë ditëve ne në BDI kemi ndërprerë fushatën partiake me urdhër të kryetarit Ahmeti dhe kemi kaluar në fushatë kombëtare për ruajtjen e numrit të mandateve të shqiptarëve në parlament. Kështu që zgjedhje të qeta dhe zgjedhje të bashkuara janë synimi i BDI-së në këto zgjedhje”, tha Bujar Osmani, BDI.

Pavarësisht se tentuam, nga VMRO-DPMNE-ja nuk morëm asnjë vlerësim mbi fushatën. Megjithatë disa nga partitë opozitare vlerësojnë se pushteti ka ushtruar presione dhe shantazhe ndaj anëtarëve të tyre dhe administratës publike.

“Ka pasur shumë presione dhe kërcënime sidomos ndaj të punësuarve në administratën shtetërore. Lirisht dilni në numër sa më të madh që është e mundur, votoni sipas vetëdijes dhe ndërgjegjes tuaj dhe aspak mos u frikësoni nga shantazhet dhe kërcënimet që janë bërë të përditshme nga ana e diktaturës që është duke ikur”, deklaroi Stevo Pendarovski, LSDM.

“Vazhdon ai avazi i vjetër i partive në pushtet, me anë të tentimit, të frikësimit dhe kërcënimit apo keqpërdorimit të instrumenteve të pushtetit që bëjnë ndaj qytetarëve dhe të punësuarve të administratës por këtë herë as këto kërcënime nuk ju bëjnë punë. Prandaj unë kisha apeluar që t’i lënë anash këto kërcënime dhe t’i lënë qytetarët pa asnjëfarë presioni dhe kërcënimi ta shprehin vullnetin e lirë”, u shpreh Bekim Fazliu, PDSH.

“Që nga fillimi i fushatës pushteti aktual i cili është në perëndim e sipër në vazhdimësi… ka ushtruar çdo lloj presioni të mundshëm duke filluar me shkatërrimin e materialit propagandues të koalicionit Rilindje me BESË, mos dhënia leje për shfrytëzimin e hapësirave publike, kërcënimi fizik i zyrtarëve të lartë të Lëvizjes Besa në rrethinën e Kumanovës, sulmi fizik ndaj aktivistëve të Lëvizjes Besa të punësuar në institucionet shtetërore etj”, thanë nga Koalicioni “Rilindje me Besë”.

“Kjo fushatë parazgjedhore, që në shikim sipërfaqësor duket e qetë e korrekte, zhvillohet nën regjimin e një pushtetin politik dhe financiar. Ditëve të fundit vërejmë kërcënime ndaj administratës, tentim për blerje votash, shpërndarje të mirave materiale si miell, dru për ngrohje dhe aktivitete klienteliste. Ne apelojmë që shqiptarët të refuzojnë ofertat e pushtetarëve të cilët provojnë të joshin elektoratin në forma të ndryshme..të dilet sa më masovikisht në votime, të votohet pa frikë, sepse vota është e fshehtë”, deklaruan nga Koalicioni “Aleanca për shqiptarët”.

Në prag të ditës së votimit, të gjitha partitë shprehen optimiste për marrjen e një numri të konsiderueshëm të votave dhe fitimin e sa më shumë mandateve për deputetë në parlament./alsatm