Pas 15 majit komunat “zhvishen” nga kompetencat

Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në përfundimin e mandatit të pushtetit lokal ndërkohë që qytetarët janë në prag të ballafaqimit me pasojat që pritet të sjell bllokimi i komunave. Ndërmarrjet publike të qytetit paralajmërojnë në rast se nuk gjendet zgjidhje e shpejtë nuk do të arrijnë të kryejnë obligimet e tyre. Rakip Doçi, drejtor i “Higjienës Komunale” tha për Alsat se Qyteti i Shkupit mund të bllokohet nga mbeturinat nëse vetëm një ditë nuk bëhet pastrimi i tyre, e kjo sipas Doçit varet nga pagesat e faturave komunale. Ai madje, shtoi se brenda ditës në qytet grumbullohen rreth 400 tonelata mbeturina ndërsa mos pastrimi i tyre mund të shkaktojë paraqitjen e ndonjë epidemie.

Duke u nisur nga fakti se shumë kategori të qytetarëve, arsimtarët në shkollat e mesme, arsimtarët në shkollat fillore, në çerdhe do të ngelin pa rroga kjo nënkupton në mënyrë të drejtpërdrejtë se edhe kjo kategori e qytetarëve nuk do të kenë mundësi ti paguajnë faturat e tyre mujore për shërbimet që i ofron kompania, ndërmarrja publike për grumbullimin e mbeturinave, për mirëmbajtjen e higjienës publike. Do të thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë rrezikohemi që edhe punëtorët e kësaj ndërmarrje nesër të ngelin pa paga dhe natyrisht ne të mos jemi në gjendje t’i kryejmë shërbimet tona të përditshme – deklaroi  Rakip Doçi, “Higjiena Komunale”.

 Sipas Doçit, vetëm në këtë ndërmarrje pa rroga rrezikojnë të mbeten 1300 të punësuar.

Ndërkohë, përgjegjësi për shkollat fillore në Çair, Muzafer Rexhepi shpreson që çështja të zgjidhet deri në fund të muajit kur edhe duhet firmosur rrogat e muajit maj.

Momentalisht nuk mund të them se po i ndjejmë pasojat për shkak se nga 15 deri më 20 maj duhet të marrim rrogat e muajit prill ndërsa në fund të këtij muaji komunat duhet firmosur për rrogat e muajit maj. Shpresojmë që kjo çështje serioze të përmbyllet pozitivisht nga java që vjen.

Ditë më parë nga BNJVL-ja edhe një herë përsëritën pasojat me të cilat do të përballen qytetarët e Maqedonisë në rast të bllokimit të komunave. Sipas tyre rreth 5 000 të punësuar në pushtetin lokal dhe  rreth 10 000 të punësuar në ndërmarrjet publike komunale nuk do të marrin rroga. Rreth 30 000 të punësuarve në arsimin fillor, të mesëm dhe në çerdhe do t’u vihet në pyetje të ardhurat e tyre. Do të ndalen të gjitha investimet e filluara dhe nuk do të fillojnë investimet e planifikuara. Nuk do të mund të bëhet pagesa e taksave komunale, si uji, rryma e ngjashëm në të gjitha institucionet komunale. Mandati katër vjeçar i krerëve të komunave dhe këshillave komunal skadon të hënën, më 15 maj.

Melihate Rustemi