Pas 20 vitesh do te mbahet meshe ne gjuhen shqipe ne Maqedoni

PAS 20 VJETËSH MESHË NË SHQIP

Është kardinali Ernest Troshani Simoni, kleriku 88 vjeçar nga Shkodra që pak kohë më parë u shpall kardinal nga Papa Françesku, që pritet të vijë në Shkup. Kjo vizitë e kardinalit në të gjitha trevat shqiptare, që nis me meshën në Prishtinë e më pas në Shkup e në Mal të Zi, konsiderohet nga organizatorët si një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për besimtarët katolikë

 Pas më shumë se 20 vitesh besimtarët katolikë do të kenë mundësi të jenë pjesë e meshës në gjuhën shqipe në Katedralen “Zemra e Krishtit” në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Është kardinali Ernest Troshani Simoni, kleriku 88 vjeçar nga Shkodra, që pak kohë më parë u shpall kardinal nga Papa Françesku, që pritet të vijë në Shkup. Kjo vizitë e kardinalit në të gjitha trevat shqiptare, që nis me meshën në Prishtinë e më pas në Shkup e në Mal të Zi, konsiderohet nga organizatorët si një event që më shumë sesa fetar, ka edhe karakterin kombëtar. Dom Ernest Troshani Simoni, i cili njihet ndryshe edhe si kleriku martir që i mbijetoi për afro tre dekada ferrit të burgjeve komuniste, përloti me historinë e tij Papa Françeskun gjatë vizitës së këtij të fundit në Shqipëri. Ferdinand Samarxhi, gazetari i të gjitha besimeve fetare në Shqipëri, por edhe pjesë e grupit që po organizon këtë vizitë, thotë se kjo është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për besimtarët katolikë. “Kardinali Troshani do të çojë meshat në të gjitha trevat shqiptare, në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi dhe ky është një event që, mbi të gjitha, ka një karakter kombëtar dhe si i tillë do të zhvillohet. Në Shkup kjo vizitë do të bëhet në bashkëpunim më Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, ndërsa në Mal të Zi ipeshkvi Rrok Gjollesha po ashtu na ka thënë se pritja do të bëhet edhe me flamuj kombëtarë”, thotë Samarxhiu. Autoritetet kishtare në Maqedoni kanë mirëpritur këtë vizitë, duke u shprehur “se janë të gëzuar që kardinali do të vizitojë katedralen dhe do mbajë meshë”. Mesha e fundit në gjuhën shqipe është mbajtur para me shumë se dy dekadash, atëherë kur u largua edhe kleriku i fundit, Izak Doda, që shërbeu prej gati katër vjetësh në kishën e Shën Zefit në Bit Pazar. Edhe përpara ardhjes së tij meshat në shqip ishin ndërprerë prej vitesh, për shkak të ndarjes nga jeta të ish meshtarit Gaspër Gjini. Vizita në Katedrale në Shkup që pritet të jetë në fund të këtij muaji, ose në shkurt do të jetë e shoqëruar edhe me një manifestim kulturor.

“Është e rëndësishme ardhja e kardinalit Troshani, jo vetëm për të vazhduar në mënyrë simbolike dhënien e meshës në gjuhën shqipe, por ky rikthim më shumë ka të bëjë me rikthimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve në këto troje, të asaj që dikur ishte Ipeshkvia Shkup-Prizren”, thotë pwr KOHA, Skënder Hasani drejtor i ITSHKSH.

Dom Ernest Troshani Simoni ka lindur në Shkodër dhe ka shërbyer si famullitar në kishat e nën Shkodrës, deri në vitin 1963, kur ai, duke iu bindur urdhëresës nga Vatikani, mbajti meshën për vdekjen e ish presidentit amerikan Xhon Kenedi. Atëherë filloi kalvari i vuajtjeve në sistemin komunist. I shpëtoi dënimit me vdekje, por vuajti për 27 vjet me radhë në burgun e Spaçit. Ai drejtoi meshën e parë në Shkodrën postkomuniste në fillimin e viteve 90-të dhe vijoi aktivitetin fetar, po aq sa edhe ka ndihmuar në pajtimin e gjaqeve. Muajin e kaluar nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë ia përcolli një mesazh sa të ndjerë, e të fuqishëm edhe për politikën.

“Kujtojuni orë e çast se jeni këtu me nji mision të naltë, prandaj mos i harroni nevojat e popullit, mos e leni mbas doret asnjë çast popullit tuej, e mos lejoni që përplasjet tueje politike, edhe atëherë kur janë të arsyeshme, të kenë në qendër luftën për pushtet, por vetëm problemet e popullit shqiptar. Jemi një komb ku jetojnë vllaznisht besime të ndryshme fetare, të barabarta para ligjit e të gjitha me detyrën e shenjtë me i shërby Zotit dhe idealeve tona kombëtare. Nuk dua me fol për tolerancë, por për vllaznim, që është shumë më tepër”, ka thënë ndër të tjera kardinali./Gazeta Koha