PAS 26 VITESH, MPB NIS TË FLASË EDHE NË SHQIP (FOTO)

Komunikatat zyrtare të Ministrisë për Punë të Brendshme, për herë të parë prej themelit të këtij institucioni të lartë në Republikën e Maqedonisë, kanë nisur të publikohen edhe në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA. Pavarësisht se zëvendësministri i këtij dikasteri vite me radhë ka qenë shqiptarë, kjo aspak nuk ka ndikuar që informimi i opinionit nga Sektori për komunikim me publikun të bëhet edhe në gjuhën shqipe. Ndryshimi i radhës në MPB vjen pasi ky organ shtetëror një javë e më tepër udhëhiqet nga ministri i ri, Agim Nuhiu. Promovimi i një bilbordi brenda institucionit të MPB-së ka qenë lajmi i cili në faqen elektronike të kësaj ministrie – është lëshuar dhe në gjuhën shqipe. “Ministri Agim Nuhiu dje me (12.01.2017) së bashku me punonjës policie – pjesëtarë nga bashkësitë etnike në vend, kanë promovuar bilbordet në gjuhët e bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni, duke kultivuar në vazhdimësi konceptin se Ministria e Punëve të Brendshme është shtëpia e përbashkët e të gjithëve. Me këtë rast ministri Nuhiu shprehu qëndrimin se MPB duhet të bëhet përditë e më shumë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare”, thuhet në njoftimin e MPB-së të publikuar sot. (koha.mk)