Pas shfaqjes Kripe Deti reagon gazetari Bashkim Sylejmani

P. S.
Të nderuar aktorë pjesëmarrës të Teatrit, këtë nuk bëj dhe as që e mendoj ta bëj sepse dua t`iu kritikoj Juve, sepse Ju më njihni dhe e dini se për mua jeni të shenjtë, por e bëj sepse, dua të bëni kujdes dhe herën tjetër, lëshimet e regjisorit, apo dritave apo grimerit ose garderrobierit, mos i lejoni tua hedhin një pluhur fytyrës juve, sepse Ju këtë nuk e meritoni, dhe bëhuni të atillë që, të thoni JO diçkaje që ua ul vlerën tuaj të lartë…

 

Mbrëmë në Teatrin e Tetovës, për të dytën herë ndoqa shfaqjen (komedinë), Kripë Deti, një përzgjedhje shumë e mirë e autorit Bullgar, Bonev. Por me keqardhje do e them, kësaj radhe do ndalem vetëm tek përzgjedhja e mirë, dhe jo, edhe tek realizimi i mirë regjisorial dhe skenik.
Edhe reprizën e mbrëmshme, njëjtë sikurse edhe shfaqjen në premierën e saj, nga fillimi në fund e ndoqën shumë pengesa (lëshime). Theksi kryesor bie tek dritat, të cilat, për aq sa di për artin dhe sa kam ndjek shfaqje, (por besoni se janë shumë të atilla që i kam pa të vendosen në skena edhe më gjigante Evropiane dhe Botërore), ndriçimi mbrëmë disa herë bëri që aktorët të vihen tejet në siklet në skenë, dhe mbase edhe të krijojnë skena dhe lëvizje e tekst shtesë, vetëm e vetëm ti përshtaten gabimeve të ndriçimit, gjë kjo, që përcillej shpesh edhe me vonesat e muzikës përcjellëse.
Por kjo nuk ishte e vetmja! Kishte edhe lëshime të tjera të cilat bënë që mbrëmë Teatri i Tetovës, të mos them dështoi, sepse është e rëndë kjo dhe meqë e dua me shpirt Teatrin nuk ma lejon ndërgjegjja ta them, por do them që bëri shumë gabime.
Një ndriçim “korridori” i cili shpesh harrohej të lëshohet, por edhe ishte i bërë në atë mënyrë që, mbase askush nuk e kuptonte me atë lloj ndriçimi se, bëhet fjalë për korridor!
Një ndodhi tjetër po ashtu me ndriçimin që po ashtu më vendosi në siklet mua si publik, ishte edhe momenti i ndezjes së dritës së dhomës, tek skena ku luajnë dy aktorët e mrekullueshëm tetovarë, Burhan Amiti dhe Elmir Sejfullai. E njëjta edhe pse dy aktorët e goditën disa herë prizën dhe tentuan të shtojnë ca tekst për ta përshtatur me defektin, e njëjta u ndez vetëm kur “dikujt” iu kujtua se duhet ndezur.
Një shqetësim tjetër që mbrëmë munda ta vërej në skenë, në aspektin teknik, ishte edhe ai i mos mbajtjes së qetësisë prapa skenës. Shpesh vini zëra nga prapa kuintave, por edhe rropama të ndryshme të cilat tërhiqnin vëmendjen nga skena, duke tentuar të kuptosh se ç’ndodh prapa saj dhe kush është ai pjesëtar i skenës që e pengon vet skenën.
Një mik imi, aktor i mirëfilltë dhe pjesëmarrës i një numri të madh të projekteve si skenike po ashtu edhe filmike, pasi e pyeta se si tu duk shfaqja:, më tha:
“unë i nderova ata, por ata me këtë shfaqje nuk më nderuan mua”. Ndërsa komentet e tija për të njëjtën pas shfaqjes, ishin për të ardhur keq.
Një fenomen tjetër që mbase nuk do e them se ishte lëshim regjisorial, por do e them se ishte një gabim i aktorëve, ishte edhe ai i vonesave të mëdha gjatë hyrje daljeve në skenë, apo gjatë ndërrimit të skenave. Por, do e lë ta komentoni Ju si të doni, nëse ishte lëshim i garderobierit, apo mos aftësi e gjetjes prapa skenës e aktorëve, që dyshoj se mund të jetë e kjo e fundit sepse, këto aktorë i njohim mirë dhe përpara nuk iu ka ndodhur një gjë e tillë.
Dhe gjatë gjithë këtyre lëshimeve që mua si dashamir i Teatrit më sillte në kokë vetëm një pyetje; Pse ndodh kjo, ku është regjisori, nëse herën e parë i kanë ikur këto elemente, pse ka lejuar ti ikin edhe në reprizë?!
Gjithnjë dhe vetëm gjithnjë këto komente jam duke i bërë si laik i artit, por si ndjekës i rregullt i tij dhe dashamirë i flaktë i teatrit (mbase për mua dita ma e lumtur e jetës mund lirisht të them se, ka qenë pikërisht dita kur në Tetovën time u themelua Teatri) dhe që nuk dua as pluhur të bjerë mbi të.
E sa i përket lojës së aktorëve, këtë nuk do e komentoj jo sepse nuk kam njohuri mbi lojën skenike dhe skenën, por sepse moralisht nuk duhet, sepse s`jam profesionist i artit. Por megjithatë nuk rri dot pa e thënë se, edhe tek kjo pikë, kishte lëshime, dhe shpesh kishte elemente tanimë të vjetërsuara të skenës, që na përsëriten pa nevojë, dhe kishte disa kalime, nga roli i …… tek një rol i cili mbase s`kishte të bëj me komedinë.
Për fund, do e them se nuk bën! Jam ndjerë keq por i bindur se ka diçka tjetër që ka nxitur këtë dhe siç thonë në Tetovë, “me ma pre kokën, nuk besoj se ai ka menduar dhe vlerësuar më kokën e tij dhe pa ndikim”. Fjalën e kam për komentimin e një njohësi të mirë të letërsisë dhe skenës, i cili kishte komentuar me hiper superlativ shfaqjen e parë, premierën e komedisë “Kripë Deti”, e që nëse ia duam të mirën Teatrit, nuk duhet këtë ta bëjmë, sepse ne dëmtojmë Teatrin nëse edhe kur gabon i themi që ka bërë mrekullinë.

Bashkim Sylejmani Gazetarë