PDSH-ja shpalosi platformën zgjedhore në Dobërdoll të Gostivarit

Gjatë fjalimit të tij para banorëve të fshatit Dobërdoll të Gostivarit, kreu i PDSH-së Menduh Thaçi u shpreh se fitoren e e subjektit të tij më 11 dhjetor përveç mbështetësve brenda vendit e presin edhe Kosova edhe Shqipëria. Ai para banorëve në pika të shkurta shpalosi platformën e PDSH-së, ku si pika më të rëndësishme i përmendi diskriminimin ekonomik të shqiptarëve dhe tha se partia e tij do ta zgjidh këtë çështje. Gjithashtu, Thaçi premtoi edhe amnisti për të burgosurit shqiptarë dhe amnisti fiskale, që nënkupton faljen e të gjitha borxheve ndaj qytetarëve.

“Kërkesa e PDSH-së për ndarje të drejtë të buxhetit, është kërkesë që e parandalon diskriminimin ekonomik ndaj shqiptarëve, dhe krejt kjo çon deri në shkuarjen e shqiptarëve në ekzil. Amnistia, që është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme, mbi 90% e shqiptarëve janë në mënyrë të padrejtë të dënuar. Ligji i dytë për amnisti që ka të bëjë për faljen e borxheve, do të bëhet shumë shpejtë”, deklaroi lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.