Përbërja fetare, sa deputetë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë ka Parlamenti i ri

Besimi fetar i deputetëve? Tani që 140 deputetët janë zgjedhur dhe brenda dy javësh do të mblidhet parlamenti i ri, ia vlen të shohim përtej emrave, në detaje të përfaqësimit. Një prej temave tabu është përkatësia fetare e politikanëve që marrin vendime në emrin tonë. Ka zgjedhje vendore ku përkatësia fetare është kushti kryesor i kandidimit për një politikan, siç ka bashki ku përkatësia në besimin fetar në minorancë automatikisht sjell humbjen elektorale të tij.
Ne kemi disa parti demokristiane dhe disa parti me bazë besimin mysliman, si dhe dy parti me bazë ortodokse, por asnjëra prej tyre nuk ka marrë asnjëherë më shumë se votat e nevojshme për një mandat parlamentar, kryesisht përmes ndihmës në koalicion politik me njërën nga dy partitë e mëdha, PS e PD.
Partitë fetare nuk kanë sukses, legjislacioni ynë ka qenë kufizues për to, por ndikimet fetare kanë qenë e janë prezent në vendimmarrjen politike. Le të kujtojmë detaje të tilla simbolike, si zgjedhjet lokale të Shkodrës 1996 apo faktin se në Korçën dy-fetare prej më shumë se dy dekadash fitues në bashki janë kandidatë të së njëjtit besim fetar. Në zgjedhjet parlamentare kemi qarqe dhe shpërndarje mikse të popullsisë. Vetëm dy nga 12 qarqet kanë mbi 95% përkatësi e të njëjtit besim fetar.
Megjithatë në zgjedhjet e fundit parlamentare pati disa raste ku debati mbi përkatësinë fetare të kandidatëve prodhoi kritika në media. Për shembull, në Tiranë, ku nga 34 kandidatët fitues vetëm 1 i përket besimit fetar katolik (PS), apo ku nga 50 kandidatët e PD në këtë qark vetëm numri 49 i përket këtij komuniteti, i cili sipas INSTAT, numëron mbi 5.5% të banorëve të këtij qarku. Apo në Lezhë ku sipas INSTAT mbi 14% janë myslimanë, në Korçë, ku sipas INSTAT mbi 58% i përket besimit mysliman apo në Shkodër ku shumicë sipas INSAT janë katolikët me 3%.
Të dhënat mbi deputetët realizuar nga Instituti i Studimeve Politike përmes projektit www.deputetim.al tregojnë se raporti fetar në parlamentin e ri është dukshëm i devijuar nga të dhënat zyrtare të INSTAT (2011).