Përbetimet e BDI-së synojnë arritjen e progresit dhe barazisë ekonomike në vend

Sigurimi i shtetit juridik, përmbushja e kritereve dhe anëtarësisë në BE dhe NATO, nuk janë vetëm obligime që i kemi ndërmarrë ndaj miqve tanë ndërkombëtarë por ato paraqesin edhe kushte themelore mes të cilave do të sigurohet progres dhe barazi ekonomike për tërë shtetin, prej të cilave do të kenë përfitim të gjithë qytetarët. Kjo u tha gjatë fjalimit që mbajti bartësi i listës së BDI për njësinë zgjedhore 5, z. Agim Shaqiri para të pranishëmve në Konferencën Qendrore Ekonomike për promovimin e Përbetimit qendror të Programit të BDI-së: Zhvillimi dhe Barazia Ekonomike.
“Krijimi i shtetit juridik stabil, si edhe integrimi i Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO, paraqesin parakushtet themelore për zhvillim ekonomik më të shpejtë, për progres më të shpejtë civilizues dhe për sigurimin e standardit të përgjithshëm më të lartë të jetës. Këto janë përfitime të cilat do i ndjejnë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, pa dallim se cilit grupacion etnik, fetar ose politik i takojnë. Këto janë çështje për të cilat ekziston konsensus dhe prandaj, zgjidhja e këtyre çështjeve është një nga pesë “Përbetimet” e BDI-së,” u shpreh Shaqiri.
Agim Shaqiri mes tjerash tha se integrimet dhe respektimi i sundimit të së drejtës paraqesin ndër parakushtet që do shpien drejt zhvillimit të shpejtë ekonomik, progresit social dhe rritjes së standardit jetësor, me të cilën do të sigurohet zbatimi i qëllimeve kryesore: më shumë vende pune, paga më të larta për shqiptarët, klimë më të mirë për bizneset dhe ndërmarrjet dhe, në përgjithësi standard më të mirë për qytetarët e Maqedonisë.