“Perëndia na i dha, perëndia na i mori”, i jepet lamtumira trinjakëve Konçi

Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja tragjike në fshatin Rromanat të Durrësit një ditë më parë, ku trenjakë të mitur humbën jetën si pasojë e zjarrit që ra në banesën e tyre.

Artur, Alesio dhe Valerio Konçi ishin vetëm në banesë në momentin e ngjarjes, ndërsa tragjedia ndodhi vetëm pak çaste pas largimit të mamasë të tyre, Migena Konçi e cila mbylli derën me çelës. Por pse iku nga shtëpia nëna e 4­-vjeçarëve?

Daja i fëmijëve, Hamdi Çela rrëfen për Report Tv se e ëma është larguar nga banesa bashkë me dy vajzat më të mëdha në moshë, të cilat i ka dërguar te shtëpia e vjehrrit që të mësonin të qeta. Banesat ishin vetëm 100 m larg njëra-­tjetrës dhe sipas dajës, gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe pikërisht këto pak minuta sollën tragjedinë.

“Ngjarja është shumë tragjike, janë raste të rralla, por ja që ndodhi. Perëndia na i dha, perëndia na i mori. E ëma e fëmijëve i mbylli për momentin sa solli vajzat për të mësuar se nuk i linin ata të mësonin. Sa erdhi këtu, ka plas zjarri atje. Do kenë pasur ndonjë shkrepse atje, sipas asaj që është djegur më para, është djegur perdja, perdja është shkëputur dhe ka rënë në divan. Kanë shkuar menjëherë këto, po kur ka marrë sfungjeri sado që ujin e kishin afër, nuk arritën të shuanin zjarrin. Fëmijët janë gjetur në pllaka, vetëm shkrepësja e ka bërë këtë punë”, u shpreh për Report Tv, daja i fëmijëve.

Drejtori i shkollës: Sot do ishte dita e 4 e kopshtit për ta
Drejtori i shkollës, Syrja Rrodhja rrëfen për Report Tv se sot duhet të ishte dita e katërt e kopshtit për trenjakët 4-­vjeçarë që humbën jetën nga flakët në banesën e tyre.

“E dhimbshme e vështirë, e paimagjinuar për zonën tonë njëherë. Unë jam drejtori i shkollës për 10 vjet. Një familje e mrekullueshme një familje e shkëlqyer. Këta nuk e kishin mbushur moshën, por unë i mora në kopsht dhe kjo më dhimbset shumë. I pashë vetë, të bukur, flori, të zgjuar. Kjo do ishte dita e katërt e kopshtit për ta”.