Perez e shet Ronaldon!?

Kristiano Ronaldo nuk do ta përmbushë kontratën me Realin e Madridit, pasi ai do të shitet para sezonit 2018-2019. Për momentin mbetet një hipotezë e pakonfirmuar, por, për mediat spanjolle, është thjesht çështje kohe derisa të zyartizohet. Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, është duke planifikuar që ta shesë Kristiano Ronaldon. Sipas asaj që raporton faqja në Internet e revistës “Don Balon”, 31-vjeçari do të luajë vetëm edhe një sezon në “Santiago Bernabeu”, pavarsisht se në nëntorin e vitit të kaluar nënshkroi një kontratë të re 5-vjeçare, që do ta mbante në Madrid deri në vitin 2021. Siç raportohet nga Spanja, Perez është duke menduar që ta shesë Ronaldon në Kinë 3 vite para se t’i skadojë kontrata, ku do të përfitonte shumë më shumë se tek Reali i Madridit. Ndërkohë, edhe kampionati amerikan i futbollit, MLS, është një mundësi për portugezin, i cili mund të largohet, pavarësisht se gjithmonë ka shprehur dëshirën ta mbyllë karrierën në Bernabeu. Futbollisti, i cili pas pak javësh mbush 32 vjeç, këtë edicion ka shënuar 18 gola në 22 ndeshje me madrilenët.