Përkrahje masive për Fatmir Deharin. Arrijnë aeroplanët e parë nga Amerika (VIDEO)

Isai udhëtoi më shumë se 12 orë për të arritur në Shkup. Biletën e pagoi vetë, kurse do t’i duhen edhe 2 orë tjera që të arrijë në qytetin e tij, Kërçovë. Ai së bashku me dyzet kërçovarë të tjerë kanë ardhur enkas për të zgjedhjet lokale, me qëllim që siç thotë, të japin kontributin e tyre, për të shënuar fitoren e radhës. Edhe përkundër zërave se ekziston mobilizim nga ana e partive politike për të sjellë sa më shumë votues, këta qytetarë mohojnë një gjë të tillë.

“Jemi të organizuar dhe çdo ditë vijnë grupe-grupe, vijnë sot dhe nesër. Ne vetë i kemi paguar biletat nga vetë-financimi ynë, nuk kemi pasur ndihmë nga askush. Kemi ardhur vetëm për Fatmir Deharin”, tha Isa Imeri, Çikago.

Ky është aeroplani i tretë me kërçovarë që vjen nga Amerika, kurse numri i tyre pritet të rritet deri në 300 persona. Ndërkaq sipas informacioneve nga shqiptarët e diasporës, numri i votuesve nga shtetet e Evropës do të arrijë deri në 4000 persona.

“E kemi për detyrë si vendlindje, si atdhetar për të ardhur për një rast të tillë që të votojmë një shqiptar i cili me të vërtetë ka treguar mjaft sukses në Kërçovë”, tha Xhemal Pinjolli, nga SHBA.

“Diku 250 e deri 300 mundën më shumë të vijnë”, tha Rexhep Imeri nga SHBA.

Në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2013, mërgimtarët kërçovarë arritën të mobilizohen në mënyrë masive për t’i dhënë votën kryetarit aktual Fatmir Deharit. Gara në mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së ishte e ngushtë dhe e tensionuar. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski atëbotë porositi votuesit maqedonas që njëqin përqind të dalin në votime, me qëllim që të dëshmojnë se Maqedonia është vend i maqedonasve.

“Të dashur miq, ata dëshirojnë që me qytetarë të shpërngulur të etnitetit shqiptar, nga Kërçova, Osllomeja dhe Zajasi, të cilët janë shpërngulur para 10, 20 ose 30 viteve, duan ta marrin Kërçovën, do ti sillnin me avionë, autobusë, nga Amerika dhe Evropa. Hajde kërçovarë, kësaj here të tregojmë dhe të dalim të gjithë, me 100%, tu tregojmë atyre se e kujt është Kërçova”, u shpreh Nikolla Gruevski, ish-kryeministër.

“Në rast se Fatmir Dehari dëshiron të jetojë në Shqipëri, ja ku e ka Shqipërinë. Le të shkojë, le të jetojë atje, s’kemi asgjë kundër ajo është zgjedhje e tij se ku do të jetojë. Këtu është dhe do të mbetet Republika e Maqedonisë. Kërçova ka qenë dhe do të mbetet Republika e Maqedonisë”, shtoi Gruevski.

Krahas retorikës nacionaliste të përdorur në zgjedhjet e kaluara lokale, kësaj radhe fushata po kalon e qetë dhe pa tensione të theksuara. Për kandidatin shqiptar për Komunën e Kërçovës ka shfaqur përkrahje LSDM bashkë me të gjitha partitë shqiptare. Kundërkandidati i vetëm i Fatmir Deharit ngelet Vllatko Sajkoski nga radhët e VMRO-DPMNE-së./TV21/