Përmirësohen kuqezinjtë, De Biazi u thur elozhe

Shqipëria do të luajë në dhjetëditëshin e parë të tetorit dy ndeshje të rëndësishme në grupin e saj eliminator, konkretisht ndaj Lihtenshtejnit (6 tetor) dhe ndaj Spanjës (9 tetor), me ambicien e qartë dhe madhore për të marrë maksimumin e pikëve. Sigurisht, situata duket optimiste, pasi lojtarët gëzojnë formë të mirë dhe konkurrenca për një vend titullari në përfaqësuese është shumë e madhe. Trajneri Xhani de Biazi është shprehur së fundmi për mediat italiane se lojtarët e tij po përmirësohen dhe këtu i referohej minutazhit të futbollistëve, tregues që kishte ardhur në përmirësim dhe rritje të konsiderueshme, gjë që favorizon ekipin tonë të arrijë një nivel pjekurie të lartë në lojë dhe të pretendojë të marrë maksimumin në këto dy sfida të radhës. Situata ka ndryshuar për mirë pikërisht gjatë dy javëve të fundit, ndërkohë që lojtarë si Berisha, Gashi, Manaj, Lenjani e ndonjë tjetër ishin në stol, tani të gjithë janë titullarë më skuadrat respektive dhe kjo është shenjë e mirë për objektivat e Kombëtares në kuadër të këtyre dy ndeshjeve. Vetë trajneri Xhani de Biazi thekson për mediumet italiane se lojtarët e tij në këtë periudhë janë në formë dhe po shijon aktivizimin e tyre me minutazh të plotë me skuadrat respektive. Kështu, Etrit Berisha u largua nga Lacio drejt Atalantës për të fituar më shumë minuta, teksa në Bergamo është kthyer në titullar në 3 sfidat e fundit të kampionatit. Në gjurmët e tij po ecën edhe Thoma Strakosha që në dy takimet e fundit është aktivizuar si titullar tek Lacio pas dëmtimit të Marketit. Në mbrojtje Mërgim Mavraj tashmë është kthyer në një pikë referimi për Këlnin, duke qenë një titullar fiks për skuadrën e tij në Bundesligë. 5 ndeshje, 450 minuta për Mavrajn në startin e këtij sezoni,maksimumi për një lojtar. Ndërkohë, kalimi tek Avelino në Serinë B i ka shërbyer Berat Gjimshitit të aktivizohet si titullar në 4 sfidat e fundit të skuadrës së tij. Për Ansi Agollin s’ka koment, pasi tek Karabag nuk mungon asnjë ndeshje. Në 6 takime Agolli është aktivizuar në dy prej tyre, teksa nuk ka munguar në asnjë nga sfidat e kompeticioneve të UEFA-s, 4 në Champions League dhe 3 në Europa League. Federik Veseli më në fund ka marë lejen për tu aktivizuar me Empolin dhe pritet debutimi i tij në Serinë A. Sa i takon krahut të djathtë të mbrojtjes, Elseid Hysaj është më i miri dhe këtë e vërtetoi edhe rinovimi i kontratës së tij me Napolin, ku kartoni i tij vlen tashmë 50 mln euro dhe Hysaj është titullar i padiskutuar tek napolitanët. Me shiritin në krah ka luajtur në sfidën e fundit Andi Lila tek Pas Janina në kampionatin grek, duke qenë një lider. Migjen Basha ka nisur të aktivizohet tek Bari ku në sfidën e fundit ndaj Ternanës u aktivizua për 90 minuta. Ergys Kaçe ka fituar vend titullari tek Viktoria Plzen. Amir Abrashi është një titullar fiks tek Freiburgu në Bundesligë, ku në 5 javë kampionat është aktivizuar në 4 prej tyre. Burim Kukeli është një pikë fikse në formacionin e Zyrihut si në kampionat ashtu edhe në Europë, teksa formë të mirë po kalon edhe Jahmir Hyka me Luzernën.

Gjithnjë lider në fushë është Taulant Xhaka për Bazelin, i cili është aktivizuar si titullar në 9 sfidat e kampionatit. Në Serinë A moment të mirë po përjetojnë dy futbollistët e Peskarës, Ledian Memushaj dhe Rei Manaj. Mesfushori është titullar i padiskutueshëm dhe kapiten i ekipit teksa sulmuesi lushnjar po aktivizohet nga stoli, ku në 133 minuta ka shënuar 2 gola. Në Rusi Bekim Balaj dhe Odise Roshi kanë gjetur veten tek Terek Grozni. Shkëlzen Gashi po kalon një moment të mirë me Kolorado Rapids në MLS amerikane, duke shënuar eurogola. Ndërkohë, lajmi mirë për de Biazin është se Armando Sadiku nuk ka probleme serioze dhe për sfidat ndaj Lihtenshtejnit e Spanjës do të jetë i gatshëm. Kjo formë pozitive e lojtarëve e bind De Biazin që grupi do të paraqitet mirë dhe me objektiva të mëdha në dy duelet e radhës.