Përse çdo vikend duhet të jetë vikend tre-ditorë?

Festat kombëtare dhe ndërkombëtare që qëllojnë ditëve të hëna, nuk duhet të jenë e vetmja arsye se përse ne ndonjëherë bëjmë pushim tre-ditorë.

Kjo duhet të ndodhë çdo javë, sepse thjesht është gjëja e duhur për t’u bërë, transmeton Telegrafi.

Përgjatë viteve të fundit, një numër i madh i kompanive në botë kanë vendosur të bëjnë ndryshime sa i përket orarit javor të punës, ku kompania Amazon është shembulli më i fundit.

Kompania e dytë më e madhe në botë e shitjeve me pakicë ka treguar me 26 gusht se një grup i zgjedhur i punëtorëve me orar të pjesshëm së shpejti do të duhet të punojnë vetëm 30 orë në javë për të fituar 75 për qind të rrogës dhe benefite të plota.

Është shumë herët për t’u ditur sigurt, megjithatë mundësitë janë të mëdha që punëtorët do të jenë më të pasionuar për punët e tyre dhe do të kryejnë më shumë punë sesa njerëzit që punojnë dyfish më gjatë.

Eksperimente të shumta të kryer në laboratorin e K. Anders Ericcson, një nga top ekspertët e psikologjisë së punës, tregojnë se njerëzit mund të bëjnë vetëm katër deri në pesë orë punë të përqendruar para se të ndalojnë së kryeri detyra.

“Nëse i nxitë njerëzit përtej asaj kohe që ata mund të koncentrohen maksimalisht, atëherë padyshim që ata do të përfitojnë shprehi të këqija”, ka thënë Ericsson për Tech Insider.

Më e keqja është se ndër ato shprehi mund të jetë se njerëzit që normalisht janë produktivë, do të përfundojnë me zbritje të performancës së tyre në punë, transmeton Telegrafi.

Thënë më mirë, shkurtimi i orarit javor do të sillte rezultate të mira tek dy palët – punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Ryan Carson, drejtor i kompanisë teknologjike të edukimit Treehouse, ka thënë se është dëshmitarë që punëtorët e tij janë bërë më të lumtur dhe më produktivë qysh nga implementimi i një orari 32-orësh në javë.

1

Filozofia e lidershipit të Carson është besim që thotë se detyrimi i njerëzve të punojnë 40 orë në javë është pothuajse jonjerëzore.

“Nuk është rreth të pasurit më shumë kohë për familjen, për të luajtur, apo rreth të pasurit më pak orar në punë – por është rreth të jetuarit një jetë më të balancuar dhe komplete”, ka thënë ai.

Kompania e tij nuk ka pësuar dëme nga ky shkurtim i orarit dhe, sipas Carson, punëtorët vijnë me qejf çdo ditë në punë.

Histori e njëjtë është duke ndodhur edhe tek Reusser Design, kompani e zhvillimit të sajtave që e ka ndryshuar orarin në katër ditë pune. Pavarësisht se kompania bën orë më të gjata për ta kompensuar ditën e humbur të së premtes, themeluesi i kompanisë Nate Reusser thotë se produktiviteti dhe angazhimi i punëtorëve asnjëherë nuk ka qenë më i mirë.

“Nuk do të mund të besoni se sa shumë punë kryejmë”, ka thënë ai për CNN vitin e kaluar, duke shtuar se kjo ‘politikë’ i motivon njerëzit të punojnë më shumë, njëjtë sikurse mënyra se si njerëzit nxitojnë t’i kryejnë projektet para se të shkojnë në pushime, transmeton Telegrafi.

Joe Robin tregon se vendimi i fundit i Amazon është një gjë e mirë për shkak se tërheq talentë të rinj.

Me një orar javor 30-orësh, Rubin thotë se nënat e reja dhe njerëzit me obligime mund ta mirëmbajnë një orar stabil të punës pa pasur nevojë të marrin pushime të gjata nga puna apo të punojnë me orar të stërzgjatur.

Duke i ofruar punëtorëve më shumë fleksibilitet, Amazon e përçon mesazhin se jeta jashtë punës me të vërtetë që ka rëndësi.

Pra, shkurtimi i orarit e ngritë moralin e punëtorëve, punëtorët e shijojnë në maksimum jetën jashtë punës, duke përfshirë shijimin e një dite ekstra pa punë, niveli i produktivitetit rritet dhe dëshira e punëtorëve për të shkuar në punë është më e lartë se asnjëherë më parë.

Pra, përderisa psikologët nuk e dinë se cili orar është i përsosuri për produktivitet, apo nëse është i njëjti për të gjithë, hulumtimet tregojnë se jo domosdoshmërish nevojiten 40 orë punë javore për të qenë produktivë.