Përse Facebook është armiku numer një i gazetave dhe gazetsrisë

Përse Facebook është armiku numër një i gazetave dhe gazetarisë

Nga Roy Greenslade/Facebook është kthyer tashmë në armikun numër një të gazetave. Vështirë se kalon një ditë, ku të mos ketë qoftë një artikull negativ për rrjetin social, i cili po josh dhe tërheq lexuesit dhe reklamuesit “tanë.”

Disa javë më parë, pati një numër të madh kritikash për një mori temash.

Ishte bllokimi i imazhit të vajzës, e cila përpiqej të largohej nga sulmi me napalm në Vietnam, që shkaktoi zemëratë, mes të tjerëve, edhe tek kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg.

Problemet e Facebook me taksat, janë vënë gjithashtu nën mikroskop. Pikëpyetje janë ngritur në lidhje me sulmin nga ana e rrjetit social, ndaj softuerit për bllokimin e reklamave (sikur kjo të mos ishte në interes të çdo agjensie lajmesh). Gjithashtu, ka patur edhe mjaft artikuj kritikë në lidhje me “neës feed-in” e Facebook, e sidomos për opsionin “trending topics” (temat më të diskutuara).

Kritikat qëndrojnë në faktin se ajo ngushton tematikën e lajmeve të përdoruesve duke iu sugjeruar (ose “urdhëruar”) atyre çfarë të lexojnë. Siç dihet, njerëzit janë të paraprirë të ndjekin turmën.

Por, këto zgjedhje bëhen nga algoritme, të cilët monitorojnë sjelljen dhe interesat e përdoruesve dhe më pas, iu ushqejnë atyre atë çfarë besojnë se përdoruesit do të donin të lexonin, duke lënë jashtë materialet, të cilat supozohet se ata nuk do të preferonin t’i lexonin. Ndaj, ky sistem rrjedhimisht krijon efektin e “dhomës kumbuese,” apo të “flluskës filtruese.”
Kështu, deklaron një nga gazetarët e “Times,” “lajm në Facebook është ajo çfarë Facebook thotë se është.”
Ndonëse diçka e tillë nuk mund të kundërshtohet, nuk mund të mos mendosh se diçka e tillë anashkalon faktin se, edhe përpara mbërritjes së internetit, lajm në gazeta përbënte ajo çfarë gazeta thoshte se ishte lajm.

Ka qenë gjithmonë kështu, qysh nga lindja e mediave, se kontrolluesit e raportuesve të lajmit – gazeta, TV dhe radio, apo media online – pikërisht ata zgjedhin se çfarë do të botohet dhe, ç’ka është më e rëndësishme, çfarë nuk do të botohet. Ndaj, në fund, a është vërtet e nevojshme të shqetësohemi për Facebook?…

…Përdoruesit me dëshirën e tyre ngarkojnë gjatë gjithë kohës informacion personal në Facebook, ndërsa kjo bën të mundur që rrjeti social të shesë reklama të personalizuara tek ata.
Në ndryshim nga kjo, edhe ëebsitet apo gazetat më të përparuara, e kanë të pamundur ta bëjnë diçka të tillë. Ata nuk mund të konkurrojnë me një strategji kaq të sofistikuar…

…Përfundimi logjik i këtij procesi nuk është vetëm shkatërrimi i medias së vjetër, të njohur, tradicionale, apo sido që ta quani, por fundi i gazetarisë siç ne e njohim.
Përpara se cinikët të bërtasin e të thonë se këtu nuk ka asgjë të keqe (ndërsa optimistët digjitalë të na sigurojnë se një gazetari më e pavarur e për rrjedhojë edhe më e mirë do të lindë në vend të saj), mendoni paksa për rrezikun me të cilin do të përballemi në mungesë të një grupi gazetarësh të aftë dhe të organizuar, të cilët punojnë për organizata aq të mëdha, sa mund të përcaktojnë edhe pushtetin.

Fejsbukizimi i lajmit ka aftësinë të destabilizojë demokracinë, së pari duke kontrolluar atë çfarë ne lexojmë dhe, së dyti, duke shkatërruar burimet që sigurojnë këtë material…

…Duke u kthyer sërish tek debati mbi kontrollin e ushtruar ndaj zgjedhjes së lajmit, ndonëse editorët humanë janë zëvendësuar me algoritme, ata “robotë” janë gjithsesi të dizenjuar nga njerëz. Kështu, vendimi se çfarë do të publikohet e çfarë jo, nuk është as neutral dhe as i paanshëm.

Ngjashmërisht, duke krijuar “neës feed-e,” të cilat supozohet t’iu japin njerëzve atë që ata duan, ata njerëz nuk do të shohin thuajse kurrë një material, i cili ofron një këndvështrim tjetër…

…Gjithashtu, është e dyshimtë mungesa e transparencës në lidhje me vendimet që Facebook merr për krijimin dhe ndryshimin e vazhdueshëm të algoritmeve të veta.

Sipas gjasave, mbrojtja e gazetarisë nuk është një prioritet për Facebook, ku inxhinierët kanë pushtetin dhe zgjidhja kërkohet gjithmonë përmes teknologjisë.

Në përfundim, Facebook është padyshim një sukses komercial dhe e ka arritur këtë në një treg të hapur e mjaft konkurrues. Por, gazetaria është më tepër se sa thjesht biznes – ajo ka një qëllim thelbësor e jo të vlerësuar sa duhet, në këtë epokë mungese qëndrueshmërie, politikash izoluese dhe ku pushteti e pasuria janë më të rëndësishme se kurrë. / TEMA Përgatit: Bjorn Runa. Marrë me shkurtime nga “The Guardian”