Përse janë zhdukur liderët?

 


Përse janë zhdukur liderët?

* Një herë, Napoleon Bonaparti dha një përcaktim të thellë, e në të njëjtën kohë me një thjeshtësi zhgënjyese: “Një udhëheqës është një tregtar shprese”

* Moises Naim në librin “Fundi i pushtetit”, shkruan se jetojmë në një botë ku autoriteti është në krizë dhe një numër i pafundëm grupesh të vegjël ka një fuqi të madhe vetoje, kështu që, ata që duhet të marrin vendime, gjenden shpesh në një gjendje paralize

* Individualizmi i përhapur bie ndesh me karakteristikën parësore të një lideri, që është ajo lloj karizme pothuaj e mbinatyrshme, e cila në sytë e njerëzve i bën ata (liderët) të pagabueshëm

* Lideri nuk është më përcjellësi unik i një mesazhi, përballë një turme në shesh. Ai ka si bashkëbisedues një publik anonim, me të cilin s’mund të ketë një lidhje të menjëhershme e të drejtpërdrejtë, i cili ndryshon mendim shpesh sepse merr shumë mesazhe

“Unë kam një ëndërr”, thërriste Martin Luther King në vitin 1963. “Unë kam para syve një ëndërr, se katër fëmijët e mi, një ditë do të jetojnë në një vend, ku nuk do të gjykohen prej ngjyrës së lëkurës, por për thelbin e personalitetit të tyre”.

Në një tjetër moment historik, dhe me të tjera vështirësi për të përballuar, Uinston Churchilli i premtonte popullit jo një të ardhme të ndritur, por vetëm “gjak, lodhje dhe djersë”. Fjalë që ishin të mjaftueshme, për të ndezur një komb të tërë, që i bënë britanikët të betohen se do ta ndiqnin pas deri në vdekje, nëse do të ishte e nevojshme.

Janë dy shembuj burrash në gjendje të tërheqin popuj dhe kombe të tërë. E megjithatë, si këta udhëheqës karizmatikë, bota duket se nuk prodhon dot më. Aq sa studiuesit ngrejnë pikëpyetje mbi arsyen që i çoi drejt “zhdukjes”. Pra, stina e udhëheqësve të mëdhenj, ka perënduar një herë e mirë? Nuk do të shohim më turma të ndizen flakë prej një fjalimi, të ndajnë ëndrrën e një njeriu që ka ambicie të transformojë botën?

“Janë dramat historike që prodhojnë lëvizje dhe udhëheqës të mëdhenj”, shpjegon sociologu Francesko Alberoni.

“Nga ana tjetër, një udhëheqës interpreton kërkesat e popullit di që të ofrojë një mjet, të transmetojë besim, krijon idenë se mundet të zgjidhë gjithçka”.

“Kur këto kushte mungojnë, personazhet me staturë nuk janë të nevojshëm, nuk kanë humusin e duhur për t’u rritur”, shton historiani Franco Cardini.

Marrim Napoleonin. Themeluesi i një prej mbretërimeve më me shtrirje të historisë, reformuesi legjislativ i Europës, mbartësi i farës revolucionare në botë. Nuk ishte aspak një ëndërrimtar, ishte një pragmatist, një përllogaritës që dinte gjithmonë të vepronte në momentin e duhur, pa paragjykime. Suksesi i tij buronte për më tepër nga aftësia për të rrokur në ajër shanset që i vinin. Karriera e madhe politike, që e shpuri nga revolucioni tek kurora perandorake, ishte një kryevepër tempizmi dhe llogaritjesh të mundësive. Por dinte edhe të bashkonte zemrat e atyre që e rrethonin. Është prototipi i llojit të ‘liderit përfitues’ nga situata, kategori që përfshin edhe Benito Musolinin.

Të dy u çliruan prej fermenteve revolucionare gjatë të cilave ditën të bëjnë rrugë edhe falë një aftësie të jashtëzakonshme ne oratori, si dhe ditën që të shfrytëzojnë në favor të tyre transformimet e shpejta të atyre momenteve të turbullta, deri sa të vinin në zbatim një ndryshim ideologjik 180 gradësh, që e bëri Napoleonin perandor dhe Mussolinin diktator.

Një ditë, Bonaparti dha një përcaktim të thellë, e në të njëjtën kohë me një thjeshtësi zhgënjyese: “një udhëheqës është një tregtar shprese”.

“Në epokën tonë ka më pak aftësi për të influencuar masat”, thotë Stefano Zecchi, profesor i estetikës në Universitetin e Milanos.

“Në një botë të skolarizuar, e mësuar të mendojë lirisht, të frekuentojë shkolla pa dogma, të gjithë janë kritikë të shkëputur”.

Nuk shkrep më ajo që GUstave Le Bon, etnologu studiues i proceseve të influencës në grupe të mëdha, e quante “fuqia irracionale e turmave”.

Antitrupa e diktaturave

Pushtetin e udhëheqësve sot e frenon edhe një vetëdije më e madhe demokrate e qytetarëve, dëshira për të qenë pjesmarrës të barabartë me të tjerët.

“Institucione monokratike apo ende për t’u ndërtuar-për shembull pas një lufte, një krize apo një revolucioni – ofrojnë më shumë shanse pushteti personal, në krahasim me administratat e efektshme dhe funksionale. Jo rastësisht, krerët karizmatikë me më shumë pushtet kanë qenë udhëheqës autoritarë, ndërkohë që liderëve demokratikë u duhet që të bëjnë llogaritë më shumë pengesa institucionale ndaj pushtetit të tyre”, thotë Cardini.

Siç thekson shkrimtari Moises Naim në librin “Fundi i pushtetit”, jetojmë në një botë ku autoriteti është në krizë dhe një numër i pafundëm grupesh të vegjël ka një fuqi të madhe vetojë, kështu që, ata që duhet të marrin vendime, gjenden shpesh në një gjendje paralize.

“Ka dhe një garë drejt famës”, vazhdon Cardini, “që pengon shtypjen e egos, për të pranuar superioritetin e dikujt tjetër. Individualizmi i përhapur bie ndesh me karakteristikën parësore të një lideri, ajo lloj karizme pothuaj e mbinatyrshme, që në sytë e njerëzve i bën të pagabueshëm. Jo rastësisht, liderët e mëdhenj kanë sjellë gjithmonë në jetë një lloj feje civile.

Një shembull është në moton fashiste “Mussolini ka gjithmonë të drejtë”, pra pothuaj i barabartë me një perëndi.

Ndërsa në fushatat sovjetike, ishin vendosur krah përkrah portretet e Madonës dhe Stalinit, të dyja me qirinj të ndezur poshtë”.

Një lloj të qenuri unike, që njihej edhe prej nofkave; fyhrer, duce, caudillo, lider, maximo, ‘më i miri’.

Shoqëria ka ndryshuar dhe karizma individuale ngjall pak frikë. Sot, HItleri dhe Mao vështirë se do të kishin të njëjtin sukses.

I pari ishte në gjendje të krijonte përreth vetes një lloj sfere kristali, brenda të cilës realiteti shtrembërohej dhe transformohej në botën ideale të diktatorit.

Kjo funksiononte, si me masat e mbledhura në mitingjet e Partisë Nacionalsocialiste, ashtu edhe në bashkëbisedimet kokë më kokë.

Gjeneralë dhe diplomatë të ndryshëm kanë dëshmuar se kanë hyrë në zyrën e Hitlerit me një ide të saktë në kokë dhe kanë dalë prej aty me bindjen e kundërt. Jo aq shumë të bindur prej konsideratave logjike të bashkëbiseduesit, se sa të magjepsur nga një lloj force magnetike që gjallëronte në fjalët e tij.

Mao ishte i ngjashëm në aftësinë për të krijuar një magji dhe burgosur ata që e rrethonin. Bashkëpunëtorët ishin të terrorizuar nga ideja e dhënies së lajmeve të këqija mbi ecurinë e fushatave të porositura prej Timonierit të Madh; kështu gënjeshtrat rriteshin, shumëfishoheshin, deri sa propagandoheshin të dhëna për të korra të mëdha, në një kohë kur njerëzit vdisnin urie apo binin në kanibalizëm.

Një botë e globalizuar.

“Në kohën tonë, ka ndryshuar edhe monopoli i komunikimit, i cili është element qendror i lidershipit”, shpjegon sërish Zecchi. “Në krahasim me të kaluarën, zhvillohet me mekanizma që ndryshojnë vazhdimisht dhe në mënyrë më horizontale. Të gjithë kanë mundësinë të japin dhe të marrin një sasi të madhe informacionesh, opinionesh dhe pikëpamjesh. Lideri nuk është më përcjellësi unik i një mesazhi, që gjendet para një turme në sheshe.

Ai ka si bashkëbisedues një publik anonim, me të cilin s’mund të ketë një lidhje të menjëhershme e të drejtpërdrejtë, i cili ndryshon mendim shpesh sepse merr shuam mesazhe.”

Ja pse kjo është epoka e liderëve burokratikë apo e atyre të ndërtuar në tavolinë. “ I pari i kësaj kategorie liderësh ka qenë John Fritzgerald Kennedy, produkti më i arrirë i marketingut politik”, thotë Francesco Alberoni. “Ai u ndërtua sipas masës, për të interpretuar ëndrrën e ndryshimit të një brezi të tërë.”

Veshjet, fotografitë, fjalimet, buzëqeshjet dhe pozat “natyrale”: gjithë këto ditoheshin nga një regji mjeshtërore, e vëmendshme ndaj të gjitha detajeve. Ishin vitet e artë të publicitetit, të teknikave të joshjes kulte dhe kërkimeve të tregut. “Në dekadat e fundit kanë vdekur dhe ideologjitë e mëdha, që aspironin të qeverisnin botën”, thotë Zecchi. “ Njerëzit nuk janë më të interesuar për politikën; duan vetëm të qeverisen me efektshmëri, të jetojnë mirë e të jenë të lumtur.”

Ja pse lidershipi është më qetësues se sa lideri. Është sigurisht më “demokratik”.

Çmimi për tu paguar është një shoqëri pa fytyrë.

“Nuk është tamam kështu”, konkuldon Zecchi. “Për figura karizmatike ka gjithmonë nevojë, por pasqyrojnë kohën e tyre. Liderët e rinj do të jenë ata që do të përballojnë temat që prekin njerëzimin: ekologjinë, inxhinierinë gjenetike, migrimet, që janë ripërcaktimi pa luftë i kufijve dhe kulturave.”