Podgorica proteston kundër dëbimit të deputetit të saj nga Rusia

 

Mali i Zi protestoi sot ndaj Moskës kundër dëbimit nga Rusia të një deputeti që mbështet anëtarësimin e vendit të tij në NATO.

Në një notë proteste dërguar ambasadorit rus nga Ministria e Punëve të Jashtme, Podgorica u shpreh e indinjuar nga sjellja e papërshtatshme e autoriteteve ruse në momentin e ndalimit të pajustifikuar të deputetit Miodrag Vukoviç.

Pas kthimit në Malin e Zi, Miodrag Vukoviç ka treguar se është ndalur në aeroportin ”Domodedovo” të Moskë dhe është dëbuar sot në mëngjes pa shpjegime.

Ai konfirmoi se bënte pjesë në një listë të shtetasve malazezë që nuk janë të mirëpritur në Rusi dhe e denoncoi si një vendim politik.

Moska ka dënuar anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën Atlantike, që do të jetë efektiv nga 5 qershori.