Polakët:Shqipëria ndër 10 vendet më të vizituara turistike

Polakët: Shqipëria ndër 10 destinacionet turistike më të vizituara

Polakët e shohin Shqipërinë si një ndër 10 destinacionet turistike më të pëlqyera.

“Shoqata e Operatorëve Turistikë të Polonisë” e rendit atë në vendin e nëntë në klasifikimin e përvitshëm të shteteve më të vizituara nga polakët, gjatë viteve 2015-2016.

Përveç tregues i tërheqjes që këta turistë kanë ndaj sajteve turistike, natyrës, historisë apo traditës shqiptare, klasifikimi ka edhe një impakt shumë të gjerë për ata që nuk e kanë vizituar ende Shqipërinë.

Vëmendjen e shtuar të polakëve ndaj Shqipërisë e tregojnë edhe artikujt në gazeta si “Metrocafe” që shkruan në kryeartikull: “Koha për në Shqipëri?”.

Gazeta përmend potencialin në sezonin turistik veror, për faktin se vendi laget nga deti Adriatik dhe Jon. Artikulli citon edhe përfaqësues të agjencive turistike sipas të cilëve Shqipëria ofron natyrë piktoreske dhe një bazë të re të hotelerisë, për një çmim deri në 400 euro për një javë.

Turistët polakë së bashku me ata çekë dhe sllovakë përbëjnë bazën e turistëve që vizitojnë Shqipërinë vitet e fundit edhe sipas Ministrisë së Turizmit. Kështu gjatë vitit 2015 në Shqipëri kanë hyrë rreth 59 mijë shtetas polakë ndërsa deri në muajin shtator, për vitin 2016 kjo shifër është mbi 60 mijë.