Polemika mbi fotoshopin/ A duhen botuar vajzat që zhvishen dhe transformohen në kompjuter?

Një foto e Encas e postuar këto ditë ka shsktuar humor të madh ne portale sepse përpos zmadhimit të gjoksit dhe zvoglimit të belit vajza që i thotë vetes këngëtare kishte shtrëmbruar edhe murin në sfond. Në fakt ajo s’ka bërë asgjë më shumë se beli i holluar deri në marrëzi i Aurelës. Linjat e përpunuara të Albanës dhe këmbët e stërgjatuara të Fjollës. Këto pamje që herë ngjallin humor dhe herë neveri i gjejmë gjithnjë e më shpesh në mediat tona dhe në faqet Online. Të gjitha janë efekte të photoshopit dhe përpjekje të vajzave të shoubizit për të rënë në sy me çdo mjet.

Natyrisht tendenca e këtyre vajzave për të dalë në plan të parë është një zgjatim qesharak i një kulture ku mbizotëron miti i rinisë së përjetshme, ku triumfojnë vlerat mishtore mbi ato të trurit, ku këmbëngul mendësia e arritjes së suksesit të shpejtë dhe me çdo çmim. Të gjitha këto tashmë dihen dhe janë thënë me dhjetra herë.

Po në këtë rast në bankën e të akuzuarve nuk janë këto vajza, të cilat më tepër janë viktima të një kulture konsumizmi.

Pavarësisht se ato përfitojnë duke shitur trupin e tyre në revista dhe gazeta, për t’ua rishitur më pas paguesve më të parë, pavarësisht se ato e trajtojnë veten si mall, duke i konsideruar mediat si cepa trotuarësh ku presin “Princin e kaltër me Ferrari”, në bankën e të akuzuarve nuk janë ato.

Në bankën e të akuzuarve janë mediat tona që botojnë non stop këto “çingije të fotoshopuara” pa e vrarë mendjen fare.

A është e moralshme për cilëndo media të botojë reklamën e një malli që do të shitet ndryshe nga sa është?

A është e njëjta gjë për to, të botojnë historinë e gënjeshtërt të një politikani që kërkon t’u shitet zgjedhësve?

A është e njëjta gjë për to, nëse ndryshojnë të dhënat e vrasjes së një krimineli?

Po njësoj, si një histori mashtrimi duhet trajtuar mediatikisht edhe rasti i vajzave të shoubizit që kërkojnë të shesin një imazh të tyre të rremë. Si një mashtrim.

Rreth një vit më parë parlamenti francez diskutoi një ligj ku detyroheshin kryesisht revistat rozë të vinin diçiturën: “E fotoshopuar” mbi fotot që ishin prekur. Natyrisht, deputetët që e kërkuan këtë ligj e argumentonin atë si një përpjekje për luftën kundër anoreksisë. Normal për një vend si Franca. Aty quhet mëkat “mashtrimi përmes fotoshopit” që mund t’i nxisë adoleshentet që lexojnë këto lloj revistash të shkojnë drejt një hollimi që nuk ekziston dhe drejt anoreksisë.

Por koha është që një nismë e tillë ligjore të ndërmerret edhe në Shqipëri.

Jo vetëm për të luftuar anoreksinë.

Por mbi të gjitha për t’i thënë ndal një modeli.

Modelit të vajzave të shoubizit, që përdorin skenën, videoklipet, fotoshopin dhe median, vetëm për një qëllim: për të ngritur çmimin si prostituta të nivelit të lartë. (lapsi.al)