Policët maqedonas sabotojnë identifikimin e huliganëve

 

Dy javë pas ngjarjeve të dhunshme që ndodhën në Parlamentin e Maqedonisë, vetëm policë shqiptarë po punojnë në identifikimin e personave të involuar drejtpërdrejt në dhunën ndaj deputetëve. Operativët maqedonas të Ministrisë së Punëve të Brendshme po ngurrojnë të bashkëpunojnë në identifikimin e huliganëve, ndërsa nuk është formuar akoma një Grup pune që do të koordinonte të gjitha sektorët e policisë për zbardhjen e plotë të rastit. Gazeta KOHA merr vesh se, sabotimi i punës nga ana e të punësuarve maqedonas në polici ka bërë që zbardhja e rastit të vonohet kaq shumë, ndërsa punonjësit shqiptarë po mundohen me aq sa munden të identifikojnë huliganët, të cilët shumë më lehtë do të ishin kapur nëse do të kishte bashkëpunim nga kolegët maqedonas. Gjithashtu, bashkëpunim refuzojnë edhe kafeteritë dhe restorantet në kejin e Vardarit, nga edhe janë nisur personat e maskuar dhe ata me kapele të zeza drejt Parlamentit natën e 27 prillit. KOHA merr vesh se policia ka kërkuar të gjitha filmimet e këtyre lokaleve, pasi grupi i të maskuarve, nga kafeteria “Dion” është nisur drejt Parlamentit. Deri tani, vetëm Stopanska Banka ka dorëzuar filmime, ndërsa edhe Qendra Tregtare e vjetër nuk ka dorëzuar asnjë filmim.

Foto nga arrestimi i Kire Gjeorgjievskit në shtëpinë e tij

“Mungon një Grup pune që duhet të formohet direkt nga ministri e që do të përbëhej nga disa punonjës, përgjegjësia e të cilëve do të ishte identifikimi dhe koordinimi i të gjitha të dhënave nga sektorët e policisë në Shkup. Tani për tani, në këtë rast duket të jenë involvuar të gjitha sektorët veçmas dhe secili me të dhëna të vetat. Në këso raste, padyshim se duhet Grup special i punës që do mbyllej në një sallë dhe nuk do dilnin pa i identifikuar të gjithë ata që dhunuan. Sepse, vetëm shqiptarët nuk mund të njohin secilin huligan maqedonas që paraqitet në filmime dhe kjo vonon punën”, thonë njohësit e punës së policisë. Mungesa e një bashkëpunimi nga operativët maqedonas të policisë ka bërë që deri tani, të mos arrihet identifikimi i personit të moshuar me mjekërr të bardhë dhe qeros. KOHA gjithashtu merr vesh se, personat me maska janë koordinuar nga drejtori i Arkivit, Filip Petrovski, i cili në disa filmime shihet duke u futur në Parlament bashkë me personat e dhunshëm. Ndryshe, të mërkurën herët në mëngjes policia e Shkupit ka arritur të arrestojë njërin prej sulmuesve kryesor të deputetit dhe kryetarit të LR-PDSH-së, Zijadin Sela. Kire Gjeorgjievski bashkë me babain e tij, Cejo Gjeorgjievski u prangosën në shtëpinë e tyre. “Pas marrjes së urdhëresës gjyqësor nga Gjykatësi në procedurë paraprake, njësitet policore pranë këtij sektori rreth orës 06:00 të datës 10 maj e kanë bastisur shtëpinë e personit (sulmuesit të Zijadin Selës) K.GJ në Shkup”, thuhet në komunikatën e policisë. Ngjashëm edhe si të dyshuarit tjerë për këtë rast, të cilët deri më sot nga policia janë paditur për kryerjen e veprës penale “pjesëmarrje në turmë e cila ka kryer vepër penale”, edhe në kësaj radhe SPB-ja e Shkupit, për huliganin numër një Kire Gjeorgjievski, ka lëshuar padi nën dyshimin se i ka shkelur dispozitat e nenit 385 të Kodit Penal. “Nga realizimi i bastisjes në shtëpinë e personit K.GJ, u gjetën atlete me gjurme të ngjashme të gjakut si dhe përkohësisht u konfiskuan tre telefona celularë. Gjatë arrestimit të personit në fjalë u arrestuan edhe prindi i tij C.GJ (68). Të njëjtit më pas janë dërguar në stacionin policor në Kisella Vodë. Njëherësh, gjatë marrjes së masave dhe aktiviteteve për zbardhjen e këtij rasti, është vërtetuar se në sallën numër 3 të Kuvendit, në pjesën ku është realizuar konferenca për shtyp, personi C.GJ fillimisht ka hedhur me një karrige, ndërsa personi K.GJ në drejtim të deputetëve që kanë qenë prezent – ka hedhur me sende të ndryshme. Në këtë mënyrë, të dy personat e kanë sulmuar dhe hequr zvarrë deputetin Z.S”, thuhet në komunikatën zyrtare të Ministrisë për Punë të Brendshme. Mes tjerash nga policia e Shkupit kanë shtuar se në koordinimi dhe bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike, ato vazhdojnë t’i shqyrtojnë veprimet e personave të potencuar, gjegjësisht aktivitet e të cilëve në mënyrë shtesë do të dokumentohen.