Policia përgënjeshtron lajmet për arrestime për blerje votash në Tearcë

Zgjedhjet në Tearcë u vunë në shënjestër të tymnajave për blerje votash, qysh një natë më parë. Por pavarësisht se në rrjetet sociale dhe në disa media raportohej për tentativa të blerjes së votës, nga policia mohojnë të gjitha zërat për akte të tilla.

Zëdhënësi i Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, Marjan Josifovski tha për ALSAT se zërat për arrestimin e dy personave një natë më parë për blerje votash, nuk janë të vërtetë.

Sipas Josifovskit, gjatë natës së mbrëmshme ka pasur një denoncim, por gjatë hetimit të policisë, nuk u konstatua tentativë e tillë për blerje votash.

“Mbrëmë rreth orës 18:00, një person nga Tearca denoncoi në Stacionin Policor të Tetovës një rast për manipulim zgjedhor. Menjëherë pas denoncimit, Sektori për Punë të Brendshme të Tetovës doli në terren, duke marrë masat adekuate. Pas marrjes në pyetje edhe të personit që bëri denoncimin, Policia doli në konkluzionin se nuk ka elemente për një vepër të tillë penale”.

Nga policia theksuan madje se nuk ka asnjë të ndaluar për këtë rast.

Mbrëmë u njoftua në media dhe rrjete sociale se një banor i Tearcës me inicialet Sh.E kishte denoncuar tentativat për manipulim zgjedhor, kundrejt një shume nga 100 deri në 500 euro për votues, për të mos dalë në zgjedhje.

Madje u përfol se dy persona ishin ndaluar, me 100 mijë euro që i posedonin në momentin e tyre të ndalimit./Alsat-M/