Policia raporton për gjendjen e Arbana Xharrës

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas sulmit që i ndodhi gjatë natës Arbana Xharrës, ajo tashmë është në gjendje stabile. Policia thotë se po punohet në zbardhjen e këtij sulmi.
“Me datë 13.05.2017 rreth orës 01:18, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion për një rast sulmi fizik, i cili ka ndodhur në një lokacion në Rrugën Muharrem Fejza në Prishtinë. Policia e Kosovës menjëherë ka angazhuar Njesit Policore të cilat kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, duke dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se viktimë e sulmit ka qenë A. Xh”, thotë policia.

Sipas policisë, për informacioneve fillestare dyshohet se viktima është sulmuar fizikisht nga persona të panjohur deri më tani.

“Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor në QKUK, të cilët kanë vlerësuar se gjendja e saj është stabile. Policia e Kosovës me zyrtarët e saj kompetent, është duke kryer hetime intensive me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes së personave të dyshuar para organeve të drejtësisë”, thotë policia.