Porositë e Hanit, të qarta dhe të drejtpërdrejta

Rekomandimet e komisionerit evropian Johanes Hahn ishin mjaftë të qarta për liderët partiak, konsiderojnë ekspertët. Sipas tyre, Hahn i kujtoi liderët për trenin e fundit që kriza të marr fund. Profesori universitar Jusuf Zendeli, thotë se liderët duhet ti marrin seriozisht deklaratat e Hahn, e posaçërisht çështjen e zgjedhjeve dhe të punës së ProkurorisëSPECIALE. Profesori Zendeli shton se fakti që komisari Hahn takoi prokuroren speciale Katica Janeva, i kujtoi liderët se duhet të mbështesin fuqishëm punën e Prokurorisë Speciale, si kusht i domosdoshëm për dalje nga kriza.

“Vizita e rëndësishme e komisionarit Hahn, duhet të jetë një çështje dhe motiv shtesë, duke u kujtuar edhe liderëve partiak që nëse ndodhë shpërndarja e Kuvendit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare, kësaj radhe të njëjtat të realizohen në harmoni me të gjitha standardet ashtu siç kishte kërkuar komisari Hahn që nga fillimi, për të krijuar kushte apo parakushte për zgjidhjen e krizës si elemente shumë aktual”, tha Jusuf Zendeli, profesor.

Andrej Stojkovski nga Qendra maqedonase për edukim evropian thotë se rekomandimet e euro-komisarit Hahn nënkuptojnë se zgjedhjet dhe procesi pas zgjedhorë janë periudhat vendimtare për dalje nga kriza dhe zbatimin e reformave.

“Ishte mjaftë i drejtpërdrejtë për ta kuptuar. Sipas tij dhe KE-së, kushtet për zgjedhje tashmë janë përmbushur. Nga liderët presin që do t’i realizojnë të gjitha pikat e marrëveshjes politike, me qëllim që Kuvendi të shpërbëhet dhe të pasojë mbajtja e zgjedhjeve më 11 dhjetor..Ai nuk flet për pavarësinë e ProkurorisëSPECIALE nga ndikimet politike apo intervenimet politike, sepse ata këtë mënyrë funksionimi nuk e njohin, mirëpo flet për pavarësinë e PSP dhe qasja e saj në hetimet e përgjithshme”, tha Andreja Stojkovski, Qendra maqedonase për edukim evropian.

Komisari Johanes Hahn në rrjetin social Twitter, i përkujtoi edhe njëherë pikat kryesorë që duhet zbatuar. “Bashkëpunim i të gjitha partive politike. Zbatim i reformave parësore dhe mbështetje për punën e Prokurorisë Speciale. Këto janë çelës për progres të qëndrueshëm”, shkruan Hahn, një ditë pas takimit me liderët e partive politike, nënshkrues të Marrëveshjes politike për dalje nga kriza.

Adrian Kerimi