Pranon vrasjen në qendrën tregtare në SHBA

Prokurorët në Uashington kanë thënë se 20-vjeçari i arrestuar, ka pranuar vrasjen e pesë personave në një qendër tregtare. Arcan Cetin, i lindur në Turqi por me banim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u arrestua në Oak Harbor të shtunën, rreth 24 orë pas sulmit në Burlington.

Ende nuk dihen shkaqet e këtij sulmi, por hetuesit thonë se nuk po përjashtojnë asnjë motiv, duke përfshirë edhe terrorizmin. Ndërkohë, njerku i Cetin thotë se ai ka një histori problemeve me shëndetin mendor.

Dokumentat gjyqësorë pretendojnë se Cetin ka pranuar se ka shtënë mbi viktimat me një pushkë. Të pestë u qëlluan brenda një minuti, ndërkohë që arma u braktis në një dyqan kozmetik, përpara se vrasësi të largohej nga vendngjarja.

Identifikimi i Cetin si i dyshuar u bë në sajë të makinës së tij, e cila ishte kapur nga kamerat e sigurimit të qendrës tregtare. Policët të cilët arrestuan 20-vjeçarin thanë se e gjetën të riun në një gjendje shoku dhe në pamundësi për të folur.