Prej “borxhliu” në një miliarder dhe President – kjo është historia e Donald Trump!

Presidenti i ri i SHBA-ve ka një jetë të bujshme.  Në ditën e marrjes së postit të tij ua sjellim biografinë e Trump:

Si e nisi?

Me një shtytje të fortë nga babai i tij. Fred Trump fitoi rreth 300 milionë dollarë duke ndërtuar “fshatra” me apartamente që i jepte me qira, në lagjet jashtë Nju Jorkut. Donald u bashkua me biznesin e familjes pas diplomimit në shkolla e biznesit, në vitin 1968, por pothuajse menjëherë i hodhi sytë nga pasuritë e paluajtshme, më joshëse e fitimprurëse, në Manhattan.

Në vitin 1971, në moshën 25 vjeç, ai nisi një projekt ambicioz për të zëvendësuar një hotel të rrënuar pranë Grand Central Terminal, me një Grand Hyatt. Babai i tij ishte shumë i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes: Ai i dha Trumpit 1 milion dollarë, i garantoi 70 milionë në kredi bankare, dhe përdori kontaktet e tij politike, për të ndihmuar të birin që ta realizonte projektin.

Kur përfundoi në vitin 1980, ndërtimi i solli Trumpit miliona dollarë, duke e vendosur atë si një lojtar të rëndësishëm në biznesin e pasurive të patundshme Manhattan. “Mua më duhej t’i provoja – komunitetit të pasurive të paluajtshme, shtypit, babait – se unë mund të kryeja projekte”, ka shkruar ai në librin bestseller, “Arti i Ujdisë”.

Cili ishte projekti i radhës?

Trumpi përdori fitimet nga marrëveshja e Grand Hyatt, për financimin e Kullës Trump në Fifth Avenue, një rrokaqiell 58-katësh, ku ai ende jeton dhe ku e ka qendrën sot organizata e tij. Por sipërmarrja e ardhshme pothuajse i shkaktoi falimentin. I etur për të lëvizur në botën fitimprurëse të bixhozit, ai hapi dy kazino në Atlantic City, që po konkurronte për t’u bërë Las Vegasi i bregdetit lindor. Nisur në 1984 dhe 1985, Sheshi Trump dhe Kështjella Trump fillimisht ishin të suksesshme. Por manjati i pasurive të paluajtshme e shtriu më tepër se sa duhej perandorinë e tij me Taj Mahalin Trump, një kazino gjigante 1 miliardë dollarëshe, që “thithte” klientët nga Sheshi dhe Kështjella. Për të paguar kredinë që kishte marrë për ta ndërtuar, Taj Mahalit të Trumpit i nevojiteshin 1.4 milionë dollarë në ditë – më shumë se çdo kazino tjetër në histori.

Çfarë ndodhi?

“Taj” humb sasi të mëdha parash, dhe perandoria e kazinove të Trumpit u zhyt në një spiralerënieje të pakthyeshme. Mes viteve 1991 dhe 2009, kompania e tij aplikoi katër herë për Kapitullin 11 të falimentimit. Por Trumpi u shpëtua nga fuqia e statusit të vet si figurë e famshme, që ai kishte ndërtuar përmes librave të tij, intervistave në media, si dhe “rrjedhjet” e llogaritura të informacionit, për tabloidët e Nju Jorkut. Sa herë që kreditorët kërcënonin ta falimentonin Trumpin personalisht, ai i bindte ata, se duke bërë kështu, do të shkatërronin markën e tij, duke bërë të pavlerë atë që kish mbetur nga perandoria e tij e kazinove. Në fund, sipërmarrja e kazinove të tij ishte një dështim që kushtoi mijëra vende pune, si dhe la pa paguar dhjetëra biznese të vogla, për punën e tyre në ndërtimin ose shërbimin e kazinove. Por Trumpi sërish fitonte miliona dollarë, duke i dhënë vetes miliona në paga e shpërblime. “Unë bëra shumë para në Atlantic City,” tha ai vitin e kaluar. “Dhe jam shumë krenar për këtë”.

Po pasuritë e paluajtshme?

Këto sipërmarrje kanë qenë shumë më të suksesshme. Projektet e tij të mëdha të ndërtimit përfshijnë Kullën Trump në Manhattan, dhe Kullën Trump në Çikago, ndërtesa e katërt më e lartë në SHBA. Por, pas dështimit të tij në Atlantic City, bankat u bënë gjithnjë e më pak të prirura, për t’i dhënë hua. Kështu, Trumpi filloi të përqendrohet në monetizimin e markës së tij personale. Në vend që të ndërtonte hotelet dhe banesat e tij, Trumpi filloi licencimin e ndërtuesve të tjerë nën emrin e tij. Tani ka Kulla Trump dhe sheshe Trump kudo, duke përfshirë Florida, Vancouver, Panama, dhe Stamboll, por Trumpi në fakt zotëron vetëm disa prej tyre.

Ku tjetër e ka vendosur emrin e tij?

Si shkruan biografi i tij, Michael D’Antonio: “Pothuajse në çdo gjë që mund të shitet si cilësi e lartë, kosto e lartë, dhe klas i lartë”. Disa prej këtyre sipërmarrjeve – Koleksioni Donald J. Trump i këmishave dhe kravatave, të cilat janë bërë jashtë vendit, kanë patur sukses të moderuar. Por shumë të tjera – biftekët Trump, revista Trump, dhe vodka Trump – u fundosën pa lënë gjurmë. Dështimet e tjera të profilit të lartë përfshijnë Universitetin Trump tashmë të mbyllur, i cili është duke u paditur nga mijëra ish-studentë për mashtrim, si dhe dhe Trump Airlines, kompani e cila zgjati vetëm tre vjet. Por Trumpi ka gëzuar sukses të konsiderueshëm në një treg: fushat e kushtueshme të golfit. Që nga viti 1997, ai ka blerë ose zhvilluar 17 kurse në mbarë botën, në vende që përfshijnë Nju Xhersin, Skocinë dhe Irlandën.

Sa vlen Trumpi?

Bloomberg.com e vlerëson pasurinë e tij aktuale, 3 miliardë dollarë; sipas Forbes ajo është 4.5 miliardë. Vetë Trumpi pretendon se vlen 10 miliardë, ndonëse ka pranuar se kjo shifër “rritet dhe ulet sipas tregjeve, sjelljeve dhe ndjenjave, madje edhe ndjenjave të mia”.

Refuzimi i tij i përsëritur për të nxjerrë pagimin e taksave ka nxitur spekulimet se vlen shumë më pak nga sa pretendon, dhe se ai përfiton prej ligjit të taksës mbi pronën, për të raportuar një të ardhur prej zero dollarë – një marifet që dikur e përdorte për të mos paguar taksë mbi të ardhurat për disa vite, në 1970 dhe 1980.

Kompanitë e tij gjithashtu kanë rreth 650 milionë dollarë borxhe – disa prej tyre të marrë në Bankën e Kinës. Por Trumpi këmbëngul se vlera e tij neto nuk mund të shkëputet nga vlera unike e markës së tij personale. “Duhen tru për të nxjerrë miliona dollarë”, thotë Trumpi. “Duhet Trumpi për të bërë miliarda”.