Presidencialet në Francë – Europa me sytë nga Franca, votohet sot për Presidentin e ri

Votuesit francezë do të zgjedhin sot Presidentin e ri pas një fushate të ashpër elektorale e cila ka përçarë vendin.
Qendrat e Votimit janë hapur në orën 08:00 sipas orës lokale dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Vendet e votimit do të mbeten të hapura në disa qytete të mëdha deri në ora 20:00 sipas orës lokale.
Në garë janë centristi Emmanuel Macron, një ish-bankier investimesh 39 vjeçar, kundër nacionalistes së ekstremit të djathtë Marine Le Pen, 48 vjeç.
Sondazhet tregojnë se ish-ministri i ekonomisë ka një avantazh prej 20 pikësh ndaj kundërshtares së tij, Marine Le Pen.
Teksa përfundimi i raundit të dytë të së dielës do të jetë i qartë në mbrëmje, rezultati final do të shpallet zyrtarisht nga Këshilli Kushtetues i Francës, të enjten e 11 majit.
Votimet në Francë shihen si test i madh i BE-së pasi dy kandidatët me përkrahjen më të madhe kanë qasje diametralisht të kundërta ndaj BE-së, ku Macron është përkrahës i madh i BE-së ndërsa udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ka paralajmëruar referendum për daljen e Francës nga BE-ja nëse ajo do të fitonte zgjedhjet presidenciale.
Sakaq, data 14 maj shënon edhe fundin e mandatit të presidentit në largim François Hollande dhe është data më e fundit e mundshme për inagurimin dhe transferimin zyrtar të pushtetit për pasardhësin e tij.