Presidenti Thaçi: Në asnjë deklaratë s’e kam përmendur “Shqipërinë e Madhe”

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se në asnjë deklaratë nuk e ka përmendur krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
Në një intervistë për agjencinë ‘Beta’, Thaçi vuri në dukje se mungesa e lidershipit dhe vizionit të Bashkimit Evropian hap rrugën për ideologji tjera dhe ndikon në rajon, si nacionalizimi, ekstremizmi dhe radikalizmi politik.

“Kjo frymë është e përbërë nga Serbia dhe e mban atë për të shërbyer ndaj interesave të saj për legjitimitetin e Serbisë së Madhe, e cila tani vepron nën hundët e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se Serbia nuk ka reaguar ndaj tij, mirëpo ka përsëritur tregimet e vjetra të cilat me dekada kanë manipuluar dhe frikësuar njerëzit.

“Serbia duhet të ndahet nga e kaluara dhe të kthehet në një të ardhme të re. Kjo do të thotë që të heqë dorë nga politika e cila rajonin e sheh si armik”.

Presidenti ka thënë se Kosova dëshiron të forcojë paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin. “Kjo është arsyeja pse ne duhet të angazhohemi që sa më shpejt të anëtarësohemi në BE”.

Sipas Thaçit deklaratat e tij për mungesën e lidershipit të BE-së nuk do të thonë konflikt i hapur me Bashkimin Evropian mirëpo kjo është një thirrje për bashkëpunim të sinqertë dhe strategjik me Kosovën si dhe me vendet e tjera.

Sa i takon situatës politike në Kosovë, Thaçi ka thënë se në qoftë se koalicioni qeverisës e konsideron të nevojshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme ai si president do të respektojë këtë vendim, por shtoi se tani për tani nuk ka një vendim të tillë.